Aktori, Fatmir Spahiu ka reaguar pas propozimit të tij për postin e Ministrit të Kulturës dhe Turizmit nga Albin Kurti, një kabinet që nuk mori votat e nevojshme.
Spahiu, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se disa ditë më parë kishte pranuar propozimin e Kurtit dhe ishte i bindur se do ta kryente mirë këtë detyrë.
Ai e falenderoi Kurtin për besimin, duke theksuar se ishte zgjedhur si profesionist, pavarësisht nga fakti që nuk është anëtar partie.
“Para do dite pra edhe me nje konfirmim pozitiv nga ana ime, sot ne mengjes, duke pas bindje te plote se do ta kry mire kete pune, i konfirmova Kryeministrit Kurti se do te pranoj ftesen per poziten Minister i Kultures dhe Turizmit. Pavarsisht qe nuk u votu, e falemnderoj zotin Kurti qe tek une ka pa nje profesionist qe do ta kryente mire kete detyre. Sidomos per perzgjedhjen e nje personi qe nuk eshte anetar i ndonje partie politike”, ka shkruar Spahiu në Facebook.
Ai ka shtuar se do ta vazhdojë kontributin e tij aty ku mendon se duhet, e edhe kur nuk i kërkohet.
“Do të vazhdoj me promovu gjuhën e butë me respekt të ndërsjelle si deri tash! Do të vazhdoj me punu për me qenë Kosova e para! Përkundër dëshirës time me dhanë një kontribut kjo pune nuk u bë. Mandej dorën në zemër prites pak me shkru me “ë” – ja rregullisht, plus ish dashtë me pagu chatgbt pro. Për hir të sinqeritetit i kam bo gati dy statusa, ai i votimit ka qenë me i gjatë pak, kështu që më mirë për lexuesin ky që u postu se me i shkurtë! I propozuari për Ministër, në një mëngjes vjeshte në Prishtinë”, ka përfunduar Spahiu.









