Kombëtarja e Kosovës U21 sot përballet me Rumaninë në udhëtim që është ndeshja e parë e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2027.
Dueli zhvillohet në stadiumin “Emil Alexandrescu”, në Iasi të Rumanisë, duke nisur nga ora 17:30.
Përzgjedhësi i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, ka pasur tri përgatitje në Kosovë dhe një në Rumani, para përballjes me rumunët, derisa ka thënë se Dardanët U21 janë të vetëdijshëm për vështirësinë e grupit, ku krahas Rumanisë bëjnë pjesë edhe Spanja dhe përfaqësuese tjera cilësore, por që ekipi ynë do të japë maksimumin në çdo përballje.
“Na presin dy ndeshje të vështira, me Rumaninë dhe Spanjën, por fillimisht jemi të fokusuar te ndeshja e parë. Rumania dhe Spanja janë favorite të grupit, por ne nuk dorëzohemi. Edhe herën e kaluar kemi pasur një grup shumë të vështirë dhe ia kemi dalë me sukses. Kemi gjeneratë të re, me shumë prurje, por besoj se me një kolektiv të shëndosh mund të arrijmë rezultate pozitive. Gjithsesi, synimi ynë pas 10 ndeshjeve është të arrijmë një kualifikim historik, por gjithçka mbetet ta tregojmë në fushë”, u shpreh Tovërlani.
Më 9 shtator në “Fadil Vokrri” shpresat e Kosovës e presin Spanjën U 21.