Sondazhet e opinionit publik, të paktën ato që janë të disponueshme për publikun, e kanë “varrosur” rejtingun e Partisë Progresive Serbe.
Sipas tyre, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, lista e studentëve do ta mundte me të paktën dhjetë përqind diferencë.
Prandaj, sipas analistëve dhe njohësve të zhvillimeve politike, zgjedhjet nuk shpallen, gjë që nënkupton se, megjithëse i mohon dhe tallet me këto sondazhe, Aleksandar Vuçiq në mënyrë të tërthortë i pranon ato.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, në një skenar ku në garë marrin pjesë vetëm lista e studentëve (lista e profesorëve, punëtorëve, bujqve, ekspertëve, të mbështetur nga studentët), lëvizja e drejtuar nga Aleksandar Vuçiq (SNS, SPS, Zavetnici) dhe partitë e pakicave, 54,8% e qytetarëve të Serbisë do të votonin për listën e studentëve, ndërsa 42,1% për listën e Vuçiqit, shkruan danas.
.
Gjithashtu, nëse e gjithë opozita (qytetare dhe “e djathta”, Kreni-promeni, dr. Miliq dhe dr. Nestoroviq) do të dilte e bashkuar në zgjedhje, do të merrte 10,2%, lista e studentëve 45,9%, ndërsa lëvizja e drejtuar nga Vuçiq edhe më pak se në variantin e parë – 41,4%.
Bëhet fjalë për një sondazh të kompanisë Sprint Insight.
Sondazhi më i fundit i realizuar nga Nova Srpska Politička Misao gjithashtu tregon se lista e studentëve “e thyen” Vuçiqin me mbi dhjetë përqind.
Bazuar në të dhënat e disponueshme, analizat e situatës shoqërore gjatë muajve të fundit dhe pamjet e mënyrës se si u zhvillua protesta studentore, e cila u bë e njohur në mbarë botën jo vetëm për masivitetin e saj – që është i pakrahasueshëm, me qindra mijëra njerëz në rrugë – por edhe për karakterin paqësor, shtrohet pyetja: a do të mundet më Vuçiq të rikthejë ndonjëherë rejtingun që ka pasur?
Po ashtu shtrohet pyetja nëse do të mund të ndalojë rënien e rejtingut në muajt e ardhshëm, deri në dhjetorin e vitit të ardhshëm, që ai e ka përcaktuar si datën më të mundshme për shpalljen e zgjedhjeve.
Në një nga daljet e tij të fundit, duke nënvlerësuar fuqinë e protestës kundër regjimit të tij, Aleksandar Vuçiq ka “parashikuar” rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme, duke vlerësuar se ato do të jenë një surprizë e madhe dhe e pakëndshme për opozitën.
Më saktë, duke folur për rezultatet e zgjedhjeve që priten, Vuçiq tha se ato do të jenë një surprizë e pakëndshme “shumë më e madhe sesa mund ta imagjinojnë”, duke shtuar gjithashtu “se secili ka të drejtë të dijë pak ose të mos dijë fare për këtë”.
“Ata janë favoritë të mëdhenj, miliarda janë investuar në shkatërrimin e këtij vendi dhe do të investohen sërish. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë t’i kundërvihesh organizatës për rrëzimin e Serbisë,” tha Vuçiq.
“Rezistenca do të vazhdojë dhe pushteti nuk ka zgjidhje për krizën”
Sondazhet tregojnë një rënie të madhe të rejtingut të presidentit dhe koalicionit qeverisës, dhe një rritje të madhe të forcave opozitare, veçanërisht të studentëve dhe listës së tyre të paralajmëruar. Koalicioni qeverisës nuk mund të rikthejë besimin e humbur, por ndoshta mund të ndalojë ose zbusë rënien e mëtejshme. Kjo do të varet edhe nga veprimet e forcave opozitare në muajt e ardhshëm – tha për Danas Nebojsha Vladisavljeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike.
Sipas tij, protesta paqësore e qytetarëve, e udhëhequr nga studentët, është praktikisht e paprecedentë në Evropë në dekadat e fundit dhe tregon përkushtimin e qytetarëve ndaj rezistencës kundër autoritarizmit.
“Radikalizimi i rezistencës pas protestës së Vidovdanit, pavarësisht represionit të pushtetit, sugjeron se rezistenca do të vazhdojë dhe se pushteti nuk ka zgjidhje për krizën. Durimi i qytetarëve dhe format ekskluzivisht paqësore të veprimit tregojnë se qytetarët jo vetëm që duan rënien e pushtetit autoritar, por edhe rikthimin e demokracisë. Prandaj, nuk ka zgjidhje të shpejta, fokusi është tek zgjedhjet,” thekson ai.
Ai sqaron se mbështetja që pushteti ka pasur është fituar përmes kontrollit të mediave, glorifikimit të pushtetit dhe pengimit apo margjinalizimit të kritikës ndaj tij.
Protestat masive të muajve të fundit ua kanë treguar edhe atyre qytetarëve që nuk ndjekin mediat e pavarura abuzimet e pushtetit dhe gjendjen e keqe në vend. Tani mbetet vetëm të shihet nëse rënia e shpejtë e mbështetjes për koalicionin qeverisës do të vazhdojë apo do të ngadalësohet – përfundon Vladisavljeviq.
“Nëse do të mbaheshin zgjedhjet presidenciale, do të ishte përsëritje e vitit 2000”
Sipas sociologut Ivan Zhivkov, elektorati i Vuçiqit përbëhet nga tre kontigjente:
Kontigjenti i parë janë mbështetësit e sinqertë të figurës dhe stilit të tij autoritar të qeverisjes.
Kontigjenti i dytë janë njerëzit e lidhur me pushtetin aktual përmes bizneseve fitimprurëse, si dhe të shantazhuarit, të korruptuarit dhe të frikësuarit.
Kontigjenti i tretë janë votuesit fantazmë, që krijohen përmes abuzimit të listave zgjedhore.
“Kjo do të thotë se Vuçiq, pa abuzimin e resurseve shtetërore dhe manipulimet zgjedhore, nuk do të kishte asnjë shans për fitore në zgjedhje,” thotë Zhivkov.
Që nga viti 2016, thekson ai, kontigjenti i parë është tkurrur, por i dyti është rritur mjaftueshëm për të kompensuar këtë humbje. Kontigjenti i tretë është rritur ndjeshëm vitet e fundit përmes sjelljes së votuesve nga shtetet fqinje. Për të kompensuar më tej rënien e mbështetjes reale, Vuçiq ka gjithnjë e më shumë nevojë për abuzim të resurseve shtetërore, represion më të fortë dhe vjedhje më të madhe të votave.
Siç shton Zhivkov, “ushtria partiake” që e kryen këtë punë të pistë nga bindja është gjithnjë e më e vogël, ndërsa ata që e bëjnë nga interesi i vendosin një çmim gjithnjë e më të lartë.
“Ky është një proces që do të përfundojë me një disfatë kolosale dhe një shpërbërje të shpejtë të pushtetit në të gjitha frontet. Nëse do të mbaheshin zgjedhjet presidenciale, do të ishte përsëritje e vitit 2000. Megjithatë, nëse mbahen vetëm zgjedhjet parlamentare, Vuçiq ka shanse të mbetet në pushtet. Në Serbi, deri më tani, nuk ka pasur ndërrim pushteti pa disfatën e kandidatit të regjimit në zgjedhjet presidenciale, sepse presidenti, për ta thënë në gjuhën e shahut, ka figurat e bardha gjatë procesit zgjedhor dhe gjatë formimit të shumicës parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë,” përfundon Ivan Zhivkov.