Trajneri i futbollit Bylbyl Sokoli, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka folur për ndeshjen e rëndësishme të Kosovës ndaj Turqisë, duke u shprehur optimist për një rezultat historik.
Sipas Sokolit, kjo ndeshje përfaqëson një moment të madh për futbollin kosovar dhe një mundësi reale për të arritur një sukses historik.
“Jam shumë optimist që nesër Kosova do të shkruajë histori. Janë momente krenarie dhe lavdie, që janë një shkallë më lart se motivimi i zakonshëm. Kualifikimi është motivi më i madh për lojtarët, më i rëndësishëm se çdo shpërblim financiar dhe se lojtarët edhe ekipi janë pjekur”, ka thënë Sokoli.
Ai foli edhe për mënyrën e lojës që pritet të ndjekë Kosova, duke theksuar vazhdimësinë në stilin e ndërtuar nga trajneri.
“Është shumë i rëndësishëm stili i lojës nesër dhe nuk pres ndryshime të mëdha. Që nga ndeshja me Suedinë, pas humbjes me Zvicrën, trajneri nuk e ka ndryshuar stilin. Formacioni 3-5-2 ka funksionuar dhe nuk do të thotë që është vetëm mbrojtës”, është shprehur ai.
Sa i përket formacionit dhe lojtarëve që do të aktivizohen, Sokoli nuk pret befasi të mëdha.
“Nuk pres që të ketë shumë ndryshime. Befasi do të ishte nëse ka ndryshime. Edhe nëse Zhegrova luan apo jo, nuk do të ishte befasi”, ka shtuar Sokoli.
Ndeshja ndaj Turqisë konsiderohet vendimtare për Kosovën në rrugën drejt një kualifikimi historik.








