Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka. Përmes një konferencë për media, Sobotka tha se marrëdhëniet Kosovë – Austri janë shumë të mira.
Sobotka theksoi se Austria është investitori i katërt më i madh në Kosovë, teksa shtoi se Austria ka një interes të madh në zhvillimin e shtetit të Kosovës, shkruan teve1.info
Sobotka shtoi se nëse Kosova e do anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet që ta luftojë korrupsionin.
“Për mua është vizita e dytë në Kosovë, një shtet mikë me një histori kaq të madhe, në një shtet me shumë përvoja të gjatë historike që rrugën e ka në integrim në BE. Kemi shkëmbyer edhe administrata tona. Një gjë duhet të jetë e qartë se mirëqenja e mirë dhe sundimi i ligjit është bazë e demokracisë. Jemi investitori i katërt më i madhe këtu në Kosovë”, tha ai.
Sipas tij, arritjet e Kosovës në këto vitet e fundit janë shumë mbresëlënëse, teksa përmendi edhe liberalizmin e vizave për Kosovën, ku tha se është një përparim i madh për Kosovën, shkruan teve1.info
“Unë mendoj që atë që Kosova ka arritur në vitet e fundit është vërtetë shumë mbresëlënëse dhe ne jemi angazhuar çdo herë, e kam bërë këtë edhe si ministër i Punëve të Brendshme, për liberalizimin e vizave dhe për fat të mirë,më 1 janar 2024 liberalizimi i vizave po bëhet”, u shpreh Sobotka.
Në konferencën e përbashkët me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca, Sobotka përmendi edhe situatën Kosovë – Serbi, ku vlerësoi se kjo është një prej sfidave që duhet zgjidhur.
Tutje ai tha se Austria do të përpiqet që për Kosovën dhe Serbinë të ofrojë mundësi që t’i afrohen njëra-tjetrës.
Madje, Sobotka përmendi edhe marrëveshjen e Ohrit, e që e cilësoi të rëndësishme dhe shpresoi që Kosova e Serbia të bëjnë interpretim të njëjtë të marrëveshjes.
“Unë mendoj se tash sfiduese është situata në Kosovë, marrëdhëniet me Serbinë janë një prej sfidave që duhet zgjidhur gjatë rrugës së dialogut dhe ne çdo herë do të përpiqemi që për të dyjat shtetet të ofrojmë një mundësi që t’i afrohen një hap më tutje njëri-tjetrit, ne mendojmë që marrëveshje e Ohrit është e rëndësishme dhe shpresojmë që të dy shtetet do të bëjnë një interpretim të njëjët të kësaj marrëveshje “, tha Sobotka.
Kryeparlamentari austriak, theksoi se për Austrinë, Kosova luan një rol të rëndësishëm, teksa shtoi se historia është një proces që zgjatë për vite mirëpo, sipas tij kjo mund të zgjidhet vetëm nëse mendojmë një hap përpara.
“Kosovën e mbeshtesë edhe gjatë rrugës së ardhshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shtoi ai./teve1.info






