Javën e kaluar në Spitalin e Pejës, një foshnje dyshohet se ishte futur në rrobalarëse.
Naser Rrustemaj nga Oda e Infermierëve, thotë se ky rast është ndër më të rëndit.
E për këtë, Rrustemaj thotë se kanë kërkuar emrat e mbiemrat e personave përgjegjës, e që të njëjtëve do tu shqiptohen masat më të rënda.
“Kam kërkuar emrat, mbiemrat e personelit shëndetësor dhe pres shpejt mi marr dhe prokurori do të merret me këto raste. Presim edhe kryeprokurorin e shtetit dhe Inpektoratin shëndetësor që del me komunikatën për këto raste. Ne do të marrim masat më të rënda sa i përket rastit në fjalë”, tha ai.
Dënim e shkarkim për personat përgjegjës për rastin e ndodhur në Spitalin e Pejës, po kërkon edhe deputeti njëherësh ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Zemaj, madje përgjegjës e bënë edhe kryeminstrin Kurti.
“Duhet të shkarkohen dhe të dënohen të gjithë ata që janë të përfshirë në rast si dhe ata që e kanë fshehur.Përgjegjës është Kurti si i vetëemëruar, ministër i Shëndetësisë. Dorëheqje morale atyre që nuk janë drejtpërdrejtë”, ka thënë Zemaj.
Rast horror, këtë që ndodhi në Spitalin e Pejës po e quan deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.
“Fatkeqësisht ky lajm nuk do të duhej të ishte lajm, nuk do të duhej të ndodhte kjo është horror. Kjo ndodh kur nuk kemi ministër, kjo ndodh kur nuk kemi person që është përgjegjës për një dështim ose një sukses”, tha ai.
I kontaktuar nga Tëvë1, zëdhënësi i Spitalit të Pejës,Naim Sahiti, tha t’i referohemi komunikatës në faqen zyrtare të Spitalit në Facebook.
Në këtë postim thuhet e deri më tani janë suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës dhe se po zhvillohen procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së rastit.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njofton se pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve është liruar nga detyra u.d kryeinspektorit të Inspektoriatit Shëndetësor Shaban Osmanaj.
Kurse nga prokuroria themelore në Pejë kanë konfirmuar për tëvë1 se kanë nisur hetimet.
“Ne e kuptojmë familjen për shkak se kanë dhimbje, mirëpo ajo se çka zotohemi si Prokurori është se do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme”, tha Osmanaj.
Me datën 13 të këtij muaji, një foshnje e lindur pa shenja jete në Spitalin e Pejës, dyshohet se ishte futur në rrobalarëse. Rasti në polici ishte iniciuar nga babi i foshnjës pasi stafi mjekësor kishte refuzuar ‘ia lëshonte trupin e foshnjës familjes kur e kishte kërkuar.