Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllime, për vdekjen e policit, Rexhep Sejdiut.
“Me rastin e vdekjes së pjesëtarit të policisë Rexhep Sejdiu, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!Sindikata e Policisë së Kosovës”, thuhet në telegram ngushëllimi.
Ndryshe, Sejdiu ka vdekur dje derisa ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje.
Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.
“Atij duhet t’i bëhet obduksion, por 95 për qind të mundësive është vdekje natyrore”, ka thënë ai.
Elshani ka bërë të ditur se trupi i pajetë i zyrtarit policor është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërsa, ngushëllime për vdekjen e policit ka shprehur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
“Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic”, ka shkruar ndër të tjera Sveçla./teve1.info