Katër personat që janë therë të hënën me thikë në qytetin e Ferizaj tani janë në gjendje stabile. Mirëpo gjatë ditës së djeshme është arrestuar një person e që sot rezultoi që ai nuk kishte lidhje me këtë rast. Gjatë ditës është arrestuar personi që dyshohet të ketë kryer gjithë aktin e që i njëjti dyshohet se ishte i dënuar më parë me 15 vite burgim për vrasjen e gruas së tij.
Nga Podujeva erdhën shëndosh e mirë si mysafirë në një shtëpi në Ferizaj.
E pas pak dolën në marketin e lagjes për të blerë diçka.
Por, ajo çka përjetuan ishte e rëndë.
Dy vajza të mitura u sulmuan me thikë befasisht nga një person në rrugën “Rifat Berisha” në Ferizaj.
“Dy metra prej shtëpisë ka ndodhur kjo edhe ne jemi familje e madhe, e kemi parë kemi vepru shpejtë deri në Emergjencë në Ferizaj. Dmth ne e kemi parë vetëm gjakosjen e madhe nuk kemi parë diçka tjetër. Janë dy vajza që janë mysafir nga Podujeva në familjen tonë edhe ato kanë dalë për një blerje pastaj në kthim dy metra nga oborri ato theren me thikë”, tha një familjar i dy viktimave.
E kjo nuk ishte e tëra. Nga i njëjti person në dy lokacione tjera u sulmuan edhe dy burra.
Tre nga katër personat e lënduar në Ferizaj u dërguan në Klinikën Emergjente në QKUK.
Nga QKUK tregojnë se gjendja e viktimave tani është stabile.
“Gjendja e tyre e përgjithshme për momentin prezantohet të jetë stabile sa i përket parametrave vital pavarësisht që lëndimet janë serioze dhe ata vazhdojnë që të marrin trajtimin mjekësor vazhdojnë të jenë të monitoruar tërë kohen dhe vazhdojnë të jenë të kyçur për operaturën mjekësore”, tha shefi i mjekimit intensiv, Shaqir Uka.
Rastin e konfirmoi edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Maftiu.
Sipas saj, i dyshuari ka përdorur të njëjtën thikë ku ka goditur katër viktimat.
“Rasti i parë i therjes të dy të miturave në këtë rast ka ndodhur në rrugën “Rifat Berisha” më pas i njëjti ka vazhduar në rrugën “Enver Topalli” ku ka lënduar edhe personin e tretë ndërsa më pas ka vazhduar edhe në pjesën tjetër të qytetit konkretisht në rrugën “Halim Spahija” dhe ka sulmuar me thikë edhe viktimën e katërt dhe më pas të njëjtën thikë të cilën e ka përdorur e ka hedhur në tokë”, Maftiu.
Të hënën fillimisht u arrestua një person.
Mirëpo Policia e Kosovës konfirmoi më pas për televizionin se personi i parë i arrestuar për therjen me thikë të katër personave ishte një gabim.
“Nga terreni janë siguruar videoinçizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se ky ishte i dyshuari i kësaj ngjarje, sepse veshja, mbathja, flokët dhe mjekra përputheshin dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, deri në sqarimin e plotë të rastit dhe hetimeve të mëtejme”.
Më tej policia sqaron se personi i dyshuar për këtë sulm makabër u vetëdorëzua në stacion policor.
Burime të Tëvë1 mësojnë se i njëjti ishte i dënuar më parë me 15 vite burgim për vrasjen e gruas së tij.