Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë një interviste në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka folur për një vit e gjysmë që nga marrja e detyrës, duke theksuar sfidat dhe prioritetet e tij.
“Unë, në momentin që më është besuar detyra si kryetar i Kuvendit, jam përqendruar plotësisht në ushtrimin e funksionit kushtetues, ligjor dhe rregullor që e ka kryetari i Kuvendit. Vizioni im, si gjatë kohës që kam qenë deputet, ashtu edhe tani, është i ndërtuar mbi përvojën intelektuale dhe politike,” tha Gashi.
Ai shtoi se që nga dita e parë ka punuar për realizimin e vizionit të tij, duke u mbështetur në dokumente strategjike të Kuvendit për zhvillimin e tij.
“99% të kohës sime e kam kushtuar Kuvendit dhe duhet të lëmë gjurmë pozitive në aspektin profesional, demokratik dhe të transparencës. Mendoj që për këto një vit e gjysmë kemi lënë gjurmë pozitive. Jemi orientuar drejt rritjes së transparencës, hapjes së Kuvendit ndaj qytetarëve, studentëve dhe organizatave joqeveritare, dhe kemi bërë punë jashtëzakonisht të madhe,” tha Gashi./teve1.info/







