Pranë pothuajse çdo klinike në QKUK janë vendosur kuti për ankesa.
Por pavarësisht problemeve që shpesh raportohen nga pacientët, numri i ankesave të regjistruara mbetet i ulët.
Këtë e thonë edhe të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë.
“Sa i përket numrit të ankesave, gjatë vitit 2025 janë pranuar dhe adresuar 130 ankesa. Ndërsa në muajin janar 2026 janë pranuar dhe trajtuar 21 ankesa nga qytetarët”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.
Megjithatë, ka edhe qytetarë të cilët janë të kënaqur me shërbimet që ofrohen në QKUK.
“Pavarësisht kush janë tek janë, unë për herë të parë jam hospitalizuar këtu, mirëpo është mrekullia e Zotit. Janë të përgjegjshëm, ndërgjegjshëm, me të gjitha normat e veta. 24 orë janë në këmbë”, tha qytetari Xhemal Salçiani.
“Përafërsisht jemi të kënaqur. Mjekët po japin aq sa kanë mundësi me dhënë. Ato që mungojnë i dimë të gjithë, por atë që kanë mundësi po e japin. Shërbimi i motrave është në nivel”, tregoi qytetari Hanif Bujupi.
E vetmja pakënaqësi që kanë disa prej tyre lidhet me pagesat që detyrohen të bëjnë përcjellësit e pacientëve.
“Ai përcjellësi duhet me pagu çdo ditë nga tre euro. Kjo është pak tepër. Në fund të fundit nuk është dashur me qenë përcjellësi, por motra me i kry këto punë. Por megjithatë, këto janë kushtet”, tha Bujupi.
Numri i vogël i ankesave konfirmohet edhe nga QKUK.
“Duke qenë se shumica e parashtresave janë kërkesa për zgjidhje konkrete, ato trajtohen me prioritet dhe palëve u kthehet përgjigje në kohë. Gjatë vitit 2025 është pranuar një numër relativisht i ankesave, ndërsa gjatë dy muajve të parë të këtij viti është pranuar një numër shumë i vogël, të cilat janë shqyrtuar dhe trajtuar në tërësi”, thuhet nga QKUK.
Megjithatë, nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve situata në terren shihet ndryshe.
Sipas tyre, numri i ulët i ankesave lidhet edhe me mungesën e informimit të pacientëve për mekanizmat e raportimit.
“Ministria e Shëndetësisë e ka bërë një linjë telefonike për ankesa e pacientëve në vitin 2013, mirëpo ajo është dashur të promovohet më shumë. Prej atëherë deri më tani nuk ka bërë promovimin e mjaftushëm edhe njerzit nuk e njohin shumë mirë qysh, si njohin mekanizmat e tjerë. Dhe kjo mund të jetë njëra prej arsyjet pse ka një numër të vogël të ankesave. Përndryshe na e shohim realitetin në teren se arsyje për t’u ankuar ka mjaftushëm”, tha Besim Kodra nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve.
Së fundmi, ankesa dhe reagime të shumta pati për tarifën 3 euroshe, që personat që i shoqërojnë pacientët gjatë trajtimit mjekësor në QKUK, janë të detyruar ta paguajnë tash e tutje.






