Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Shukri Buja i cili mban kodin W01453 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai në fillim të seancës mori fjalën duke thënë se e kishte statusin e të dyshuarit në këtë rast si dhe e ka të drejtën ligjore që të hesht për ta mosinkriminuar vetën.
Buja është i pranishëm në sallë së bashku me një avokat kujdestar i cili është Taulant Hodaj. Megjithatë, kryegjyqtari ua dha garancinë e mosinkriminimit nga ajo që do të thonë në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kryetar i panelit, anëtar të panelit, të pranishëm: Në vitin 2019, nga ZPS isha i ftuar në intervistim. Pas insistimit të avokatëve të mi, mu tregua që jam vetëm si i dyshuar. Prokuroria Speciale nuk me ka informuar për akuzat që ishin ndaj meje dhe nuk e kanë informuar as avokatet e mi, përkundër kërkesave të shumta nga ekipi im ligjor. Kësaj ftese të vitit 2019, iu përgjigja dhe duke pasur parasysh të drejtat e parapara ligjore dhe në konsultim me avokatet e mi, e shfrytëzova të drejtën ligjore që pyetje pas pyetje të shikojë dhe shfrytëzojë të drejtën time të mbrohem në heshtje”, tha Buja.
Ai tha se edhe në aktakuzën ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përmendur edhe emri i tij si i dyshuar.
“Në vitin 2020, nga Prokuroria e Specializuar është ngritur aktakuzë ndaj presidentit të vendit tim z. Hashim Thaçi, krye parlamentarit të Republikës së Kosovës, z.Veseli, ish-kryeparlamentarit z.Kransiqi dhe shefit të grupit parlamentar z.Selimi. Në këtë aktakuzë, në paragrafin 35 potencohet si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale në të cilën përfshihen anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandant të zonave, zëvendëskomandant të zonave, komandat të brigadave dhe anëtar të shtabit të brigadave, komandant të njësiteve të zbulimit dhe policisë ushtarake dhe ushtarë të tjerë ku përfshihet edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, ministra dhe staf tjetër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Në këtë aktakuzë, është theksuar edhe emri im në paragrafin 35 dhe në dy paragrafë të tjera të kësaj aktakuze. Me tutje, në parashtresën e Prokurorisë… në këtë rast emri im përmendet si i dyshuar”, tha Buja,
Ai tha se edhe gjatë vitit të kaluar është rikonfirmuar se është ende i dyshuar e po ashtu ngjashëm edhe gjatë seancave përgatitore për të dëshmuar në këtë rast.
“Në vitin e kaluar, në tetor të 2023 jam ftuar nga ZPS në cilësinë e dëshmitarit në këtë proces gjyqësor. Në korrespodencat me ZPS-në, përmes avokateve të mijë, ZPS-ja me ka konfirmuar se jam ende i dyshuar ashtu sic me ka konfirmuar edhe në seancat përgatitore përpara kësaj seanca”, tha ai.
Buja e përmendi një deklaratë që e ka dhënë për UNMIK-un gjatë viteve të pasluftës duke shuar se nuk ka ndonjë kopje të saj, nuk e ka nënshkruar, është e mangët si dhe nuk është njoftuar për të drejtën e tij për avokat.
“Në dosjen që kam pas mundësi me shqyrtu në seancën përgatitore, ndër të tjera kanë qenë: një deklaratë që pretendohet që është marrë gjatë vitit 1999 apo 2000 ku unë jam marrë në pyetje nga Policia e UNMIK-ut. Unë nuk e kam nënshkruar këtë deklaratë dhe nuk kam pranuar asnjë kopje të saj dhe kësaj deklarate i mungojnë disa pjesë dhe nuk është e plotë dhe nuk kam pas avokat me mua dhe nuk jam njoftu për të drejtat për të pasur avokat”, tha ai.
Mos njoftimi për të drejtën e tij për avokat, Buja ka thënë se ka ndodhur edhe kur ka dëshmuar në rastin Limaj në vitin 2003 dhe 2004.
“Po ashtu edhe dy deklaratat e tjera të mija të dhëna në rastin Limajn në Tribunalin për ish-Jugosllavinë në vitin 2003 dhe një deklaratë përpara Gjykatës në vitin 2005. Në këto dy raste nuk jam informuar ndonjëherë as nga Prokuroria e as nga Gjykata për të drejtat e mija si dëshmitar dhe të drejtën që të kem avokat”, tha Buja.
Buja tha se e ka të drejtën e tij ligjore që të mos dëshmojë dhe të mos e inkriminojë vetën e tij.
“Sidoqoftë unë do të analizojë çdo pyetje që parashtroni duke e pasur në mendjen time të drejtën për të qëndruar në heshtje”, tha Buja.
Ndërsa, avokati Hodaj tha se në vitin 2019 klienti i tij ishte thirrur si i dyshuar dhe që nga ajo kohë nuk ka asnjë provë që është bërë ndonjë hetim dhe se klienti i tij nuk është informuar për ndonjë pretendim dhe pse ZPS-ja e konsideron atë si të dyshuar.
“Meqë klienti im është thirrur si i dyshuar në 2019, kanë kaluar më shumë se pesë vite pa ndonjë akuzë kundër tij dhe nuk ka asnjë provë për ndonjë hetim që është bërë nga 2019 deri me sot pavarësisht se ZPS ka pas mundësitë shumta që të ngre pretendimet e veta, klienti im nuk është informuar për asnjë pretendim dhe asnjëherë nuk është dhënë asnjëherë ndonjë arsye se pse ZPS-a e konsideron atë në cilësinë e të dyshuarit sipas kuadrit ligjor në fuqi”, tha Hodaj.
Ai tha se është rikonfirmuar edhe kohët e fundit nga ZPs-ja që klienti i tij është ende në cilësinë e të dyshuarit.
“Kohët e fundit, në fletëthirrjen e ZPS-së dhe me e-mail është rikonfirmuar fakti që klienti im mbetet në cilësinë e të dyshuarit për çka rikonfirmohet fakti se klienti im ka qënë i përfshirë në veprat penale”, tha Hodaj duke shtuar se Bujës i është dhënë një rregull ku thuhet se nuk është i detyruar që të jep dëshmi nëse kjo dëshmi është vetë inkriminuese.
Duke u thirrur në një rregullore, Hodaj tha se meqë kanë kaluar kaq kohë, ZPS-ja duhet ët pushojë hetimet ndaj klientit të tij.
“Anda, ZPS-ja duhet të pushojë hetimet kundër klientit tim sipas Rregullës 47 duke marrë parasysh se nuk ka dal ndonjë aktakuzë gjatë këtyre pesë viteve që kur është informuar se është i dyshuar. Kjo periudhë ka kaluar afatin e ligjshëm që duhet të kishte respektuar ZPS-ja në bazë të kuadrit ligjor në fuqi për ta thirrur z.Buja”, tha Hodaj.
Ai tha se gjatë seancës përgatitore, ZPS-ja i kishte informuar ata se Buja ishte i dyshuar për shkak të dëshmive që kishte dhënë në çështjen Limaj.
Sipas Hodajt, ZPS-ja nuk ka respektuar afatet ligjore pasi që kur hapet një hetim, ai duhet të përfundoj brenda një afati kohor të arsyeshëm.
“Në këtë gjykim, klienti im është thirrur si dëshmitar por sidoqoftë ai ende ruan statusin e të dyshuarit”, tha Hodaj.
Hodaj tha se klienti i tij është i hapur për t’i dëgjuar pyetjet por që mund të ushtrojë të drejtën e tij të garantuar me ligj që të qëndroj në heshtje.
Pas kësaj, mori fjalën prokurori James Pace i cili tha se këto pretendime edhe gjatë seancave përgatitore dhe sipas tij ky nuk është rasti i arë dhe se raste të tilla kanë pasur edhe herëve të tjera.
“Ne nuk kemi kundërshtim që dëshmitarët t’i jepen garancitë e rregullës 51 që do të thotë që dëshmia nuk mund të përdoret kundër tij sipas kësaj rregulle”, tha Pace.
Ndërsa, avokati Hodaj tha se edhe ai edhe klienti i tij e njohin këtë rregull dhe se do të konsultohet me klientin e tij.
“Garancia është e thjeshtë, ai nuk do të ndiqet penalisht për asgjë që do të thotë në sallën e gjyqit. Pra, nuk vetëinkriminohet”, tha kryegjyqtari.
Më pas, atyre iu dhanë pesë minuta që Hodaj the Buja të diskutojnë lidhur me këtë çështje.
Sipas kryegjyqtarit, Buja pritet të dëshmojë rreth katër ditë e që nga kjo kohë, 9 orë janë paraparë për Prokurorinë dhe 12 të tjera për ekipet e mbrojtjes.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.