I paraparë të nisë më 1 mars, gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u shtye për 3 prill.
Kjo pasi që salla e gjyqit në Hagë në muajin mars është e zënë me gjyqin e Pjetër Shalës, dhe palët u pajtuan me shtyrjen.
Pas kërkesës së trupit gjykues, Prokuroria në rastin e ish krerëve të UÇK-së, ka reduktuar numrin e dëshmitarëve në 312, por që sipas ZPS-së, ky numër mund të reduktohet edhe më tutje.
“Kemi 188 dëshmitarë lidhur me krimet, 100 dëshmitarë lidhur me strukturën e UÇK-së, 37 për elementet penale, derisa për sjelljen e të akuzuarve 68 dëshmitarë. Gjatë çështjes së Prokurorisë do të përmenden 42 vende krimi, në 17 komuna të ndryshme në lidhje me ndalimin arbitrar”, Matthew Howling, prokurori i Specializuar.
Megjithatë, gjyqtarët e rastit shprehën shqetësimin për 700 orët që ZPS-së iu duhen për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të saj, derisa kërkoi që palët të shmangen nga deklaratat politike.
“Trupi gjykues nënvizon rëndësinë e kufizimit të dëshmitarëve, provave të panevojshme dhe përsëritëse. Çdo përpjekje e ZPS-së për të qenë shteruese do të kalojë kufirin kohor që kemi caktuar për paraqitjen e provave”, tha Charles Smith, kryetari i Trupit Gjykues.
Lidhur me këtë, në konferencën përgatitore për gjykim, ekipet mbrojtëse bënë thirrje që trupi gjykues të shfrytëzoj diskrecionin që ka në kohëzgjatjen e procesit.
“Zgjatja e procedurës është armik i drejtësisë dhe të drejtave të të akuzuarve Në rastin e Millosheviq do të duheshin 20 vite nëse do të vazhdohej më këtë logjikë”, tha Ben Emmerson, avokat i Veselit.
“Për fat të keq ne duhet të jemi ata që duhet t’i tërheqim vëmendjen gjykatës çdo ditë. A ka hapësirë këtu që ju të ushtroni të drejtën tuaj për të vendosur për t’i thënë ZPS-së që koha për ta përfunduar këtë në fund të 2024-ës apo në 2025 është shumë kohë dhe ta shkurtoni këtë kohë? Unë besoj që ju e keni këtë diskrecion dhe të drejtën për ta bërë”, tha Gregory Kehoe, avokat i Thaçit.
Ekipet mbrojtëse si temë diskutimi në Hagë, ngritën edhe materialet që ende po i publikon prokuroria, e që sipas mbrojtjes kjo po ua vështirëson përgatitjet për gjykim.
Kronika e gazetares Florijeta Dernjani.









