Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është përplasur me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, në seancën e sotme plenare.
Kjo e fundit akuzoi ministrin Vitia se e ka lënë Klinikën e Urgjencës me vetëm katër shtretër për pacientë.
“Nëse shkojmë në urgjencë, ku mblidhen pacientët në krejt Kosovën, aty i kemi katër krevate dhe nuk ka më shumë”, tha ajo.
Por këto pretendime i mohoi ministri Vitia, i cili i konsideroi dezinformata, pasi sipas tij në Klinikën Emergjente ka 25 shtretër.
Madje sipas tij, me deklarime të tilla Kadrijaj po i sugjeron qytetarët të shkojnë në klinika private.
“Katër krevate në Klinikën Emergjente, zonja Time, nuk e di kur ke qenë për herë të fundit, por në Klinikën Emergjente janë 25 krevate. Me renovimin e emergjencës është shtuar numri i krevateve. Të thuash janë katër kur janë 25 është dezinformim kardinal”, tha ai.
Vitisë iu kundërpërgjigj sërish Kadrijaj, e cila i tha ministrit Vitia se nuk ka pasur asnjë rezultat në shëndetësi.
Madje ajo i sugjeroi Vitisë t’i dërgojnë pacientët në njërën prej klinikave private.
“Po i dërgojmë te Olive ku ke investu ti, ke marrë rrogë të madhe dhe ke punësuar gruan”, tha ajo.







