Anëtarët e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, kanë pritur në takim pune, dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj, i cili shoqërohej nga prodekanët dhe bashkëpunëtorët.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në fokus të takimit ishte formimi i grupit punues ndërmjet ShSKUK-së dhe Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, i cili grup do të vendosë linjat e bashkëpunimit dypalësh.
Madje, kryesuesi i Bordit Drejtues në ShSKUK tha se me qëllim që bashkëpunimi dypalësh të jetësohet, e që është edhe obligim ligjor dhe statutor, është vendosur që të krijohet një grup i përbashkët punues i cili do të vendosë linjat e bashkëpunimit.
Kurse, Elvir Azizi, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, e mbështeti formimin e grupit punues, në mënyrë që bashkëpunimi të jetësohet edhe praktikisht, e që do të jetë në të mirë të dy palëve.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj, theksoi se bashkëpunimi dhe formimi i grupit punues do të ndihmojë dhe forcojë pjesën arsimore, atë shëndetësore dhe kërkimore-shkencore. /teve1.info/