Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është grumbulluar të hënën në Barcelonë, ku do të përgatitet për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Shqipëria e synon vendin e dytë në grup, për të vazhduar në fazën e plejofit. Pozita e dytë mund të sigurohet që të enjten, me fitore ndaj Andorrës dhe me kusht që Anglia të fitojë ndaj Serbisë në ndeshjen që zhvillohet në të njëjtën kohë në “Wembley”.
Të dy ndeshjet fillojnë në orën 20:45.
Shqipëria është në seri prej tri fitoreve dhe kjo ka bërë që lojtarët të jenë “me moral të lartë”, ka shkruar FSHF-ja.
Njëri prej lojtarëve më të mirë të kuqezinjve, mbrojtësi i krahut të majtë, Mario Mitaj, është optimist para ndeshjes në Andorrë.
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. E dimë çka të presim, i njohim kundërshtarët. Sidomos ndeshja ndaj Andorrës është shumë e rëndësishme. Duhet të jemi të gjithë shumë të fokusuar”, ka thënë Mitaj për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Andorra vlerësohet ekip inferior, ndërsa pritet të ndalet në mbrojtje në kërkim të një pike në ndeshjen me Shqipërinë.
“Kundërshtarët si Andorra mbrohen shumë mirë dhe rrinë prapa. Por besoj se mënyra se si do të futemi ne në lojë, sa të përqendruar do të jemi, do të bëjë dallimin”, ka theksuar Mitaj.
Anglia tashmë ka siguruar biletën e Botërorit. I ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet dhe udhëheqë me 18 pikë. Shqipëria i ka 11 pikë, ndërsa Serbia është e treta me dhjetë. Pasojnë Letonia me pesë pikë dhe Andorra me vetëm një.
Shqipëria asnjëherë nuk ka luajtur në plejof për kualifikim në Botëror.
“Objektivi është që të shkojmë në plejof. Jemi shumë afër. Na duhen edhe këto dy ndeshje, fillimisht fitorja e parë me Andorrën dhe më pas shikojmë Anglinë”, ka thënë Mario Mitaj.
Më 24 mars, Shqipëria kishte fituar 3:0 në Tiranë ndaj Andorrës.








