Jeton Hasani, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se “Venecia” ka përkrahur një vetting të pjesshëm dhe jo të përgjithshëm në sistem të drejtësisë pasi kanë vlerësuar se niveli i korrupsionit në këtë sektor nuk është i madh.
Ai thotë se sipas Komisionit të Venecias, para se të mund të ndodhë vetingu në shkallë të gjerë, nevojitet që të eksplorohen masa të tjera më të buta të reformimit të sistemit të drejtësisë.
“Pas opinionit të Komisionit të Venecias do të thotë ky opinion ka përkrahur në fakt që vettingu të ndodh vetëm pjesërisht ndaj akterëve të caktuar dhe jo ndaj të gjithë akterëve të sistemit të drejtësisë dhe në këtë ka arritur duke pas parasysh se sipas vlerësimit të Komisionit niveli i korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovës nuk është aq i madh sa të arsyetonte një vetting të tërësishëm që do të cilësohej si një masë e rëndë dhe jopropociaonale sipas Komisionit dhe në këtë kuptim, sipas Komisionit të Venecias, për të arritur tek rezultati i synuar, përkatësisht tek vettingu i tërësishëm në sistem të drejtësisë, duhet paraprakisht që të jepet mundësia masave më të buta të reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe po që se shihet se ato masa pastaj nuk do të jenë të mjaftueshme për të siguruar integritetin e sistemit të drejtësisë atëherë mund të vazhdohet me vettigun e plotë. Këto masa më të buta reformuese që duhet shikuar njëherë dhe testuar se a po arrijnë efektin e duhur kryesisht kanë të bëjnë me përforcimin e sistemit kontrollues të aseteve të deklaruara nga subjektet e sistemit të drejtësisë, më pas është çështja e përforcimit të njësive verifikuese brenda këshillave që ekzistojnë”, u shpreh hulumtuesi në IKD.
Sipas Hasanit, komentet e “Venecias” deri diku janë të arsyeshme dhe nuk janë larg synimeve fillestare që Qeveria e Kosovës ka pasur për procesin e vettingut.
Ai beson që vettingu duhet të përkrahet nga të gjitha partitë politike në vend, pasi është proces të cilin e kanë proklamuar të gjithë.
“Deri diku janë komente të arsyeshme në kuptim dhe të logjikshme dhe argumentuese por që duhet thënë se këto rekomandime nuk janë edhe shumë larg synimeve fillestare të qeverisë duke pas parasysh se edhe në koncept dokumentin për zhvillimin e vettingut në Kosovë fillimisht parashihej që vettingu të zhvillohej ndaj Këshillave për të vazhduar tek gjyqtarët dhe prokurorët e rëndomtë. Në aspektin kohor do të ketë prolongime të caktuara, mirëpo në fund nëse zbatohen rekomandimet e dhëna në opinion të Komisionit i Venecias do të mund të zbatohej vetting i plotë ashtu siç ishte synuar… Çështja e vettingut është përmendur pothuajse nga të gjitha partitë politike dhe është shprehur përkrahja e këtij procesi dhe për aq sa qeveria do të zbatojë rekomandimet që jep në Komision të Venecias do të ishte problematike që pastaj të dilej kundër vettingut por është prapë se prapë është çështje politike”, theksoi Hasani.
Edhe Mexhide Demolli nga Lëvizja Fol thotë se rekomandimet e “Venecias” për procesin e vettingut mbështesin një vetting që prek vetëm kokat e Këshillit Gjyqësor të Kosovë, atij Prokurorial, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët.
Duke theksuar se kjo formë e vettingut nuk është ajo që e ka proklamuar partia në pushtet, Demolli thekson se më mirë është të fillohet në këtë formë sesa të mos ketë vetting fare.
“Nuk është një vetting që na është premtuar nga partia në pushtet, por të paktën është ta quaj një ‘gjysmë vetting’ sepse nuk do të përfshihet i gjithë sistemi gjyqësor si nga ana e gjykatave por edhe prokuroritë, por do të kemi vetëm kokat, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, KPK dhe KGJK-në. E them më mirë pak se sa aspak mos të fillojë si proces. Vettingu ka qenë një prej premtimeve themelore ta quaj ashtu të partisë që tashmë udhëheqë me vendin. Ajo që mbetet të shihet, dhe për neve është një kërkesë e vazhdueshme, është që ky proces të ketë një konsensus me partitë opozitare dhe të mos jetë proces i vetëm një partie politike, tash topi është në anën e Lëvizjes Vetëvendosje nëse do të arrijë që t’i ftojë në takim kryetarët e partive opozitare dhe të arrijë një dakordim që ky proces të fillojë sa më parë… Më mirë të fillojmë me një pjesë se sa fare, nuk është versioni i premtuar nuk ka pikë diskutimi sepse qëkemi pas një vetting të përgjithshëm”, u shpreh ajo.
Por lidhur me këto komente të Komisionit të Venecias për procesin e vettingut në sistem të drejtësisë ende nuk kanë ndonjë koment të veçantë kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.
Sipas tij, çdo ligj qoftë i mirë apo i keq, si gjyqësor duhet ta respektojnë, por thekson se do ta analizojnë çdo rekomandim të dhënë nga “Venecia”.
“Ne zyrtarisht nuk kemi marrë ndonjë opinion, këto janë faktikisht ato çka ka ndal në kontekst të medieve, normal që ne si gjyqësor edhe ligjet e këqija dhe të mira duhet t’i zbatojme, por të shikojmë opinionin se çka ka kërkuar dhe si e ka paraparë këtë formë. Unë si kryetar i Gjykatës Supreme e kam thënë se Komisioni i Venecias e ka bërë vlerësimin por duhet në kuptimin e përgjithshëm të opinionit ta shikojmë, por jo me marr në kontekst në këtë pjesë… Në kuptimin e përgjithshëm ne kemi thënë se duhet të forcohen mekanizmat e brendshëm më tepër, por nëse Komisioni i Venecias ka parë shqetësimin në ndonjë pjesë ne normal që nuk jemi kundër një qëndrimi të përgjithshëm që është e nevojshme… Është një proces shumë i komplikuar edhe në proces të ndryshimeve kushtetuese pastaj edhe përpilimi i legjislacionit adekuat që merr kohë, mirëpo ne duhet të shikojmë mënyrën e detajuar në secilën pike”, theksoi Peci.
Më 17 qershor Komisioni i Venecias i ka votuar rekomandimet për projektligjin për procesin e vettingut por edhe atë për Byron Shtetërore, derisa publike janë bërë më 21 qershor. Kujtojmë që Bashkimi Evropian nuk e ka përkrahur procesin e vettingut, ata kanë kërkuar që të fuqizohen mekanizmat aktuale./kp