Në një letër dërguar kësaj kompanie, Musk është pajtuar të paguajë çmimin që kishte ofruar disa muaj më herët, përpara se të tërhiqej nga marrëveshja.
Ky ndryshim i qëndrimit vjen vetëm disa javë para se të dyja palët pritej të përballeshin në gjykatë për këtë çështje.
Twitter, që a ka paditur miliarderin Musk për të tentuar që ta detyrojë që të vazhdojë me marrëveshjen për blerjen e kompanisë, pritej që të fitonte procesin gjyqësor.
Në letër, avokatët e Muskut, thanë se ai dëshiron që të vazhdojë me kompletimin e transaksionit, dhe ka kërkuar që t’i jepet fund betejës ligjore.
Një zëdhënës i Twitter-it tha se kompania ka pranuar letrën dhe planifikon që të mbyllë marrëveshjen me çmimin prej 54.20 dollarë për aksion, aq sa kishte ofruar Musk në muajin prill.
Ky vendim i Muskut bëri që aksionet e Twitter-it të rriteshin për më shumë se 20 për qind apo 52 dollarë për një aksion. Megjithatë, vlera e një aksioni është më e ulët sesa çmimi që Musk ka ofruar.
Kur Musk fillimisht shpalosi dëshirën e tij për ta blerë Twitter-in për 44 miliardë dollarë, ai tha se dëshironte që të hiqte llogaritë e rreme dhe ta ruante platformën si një vend për lirinë e shprehjes.
Por, miliarderi u tërhoq nga blerja e kompanisë vetëm disa javë më vonë, duke thënë se kishte shqetësime se numri i llogarive të rreme në platformë ishte më i lartë sesa Twitter kishte deklaruar.
Drejtuesit e Twitter-it kanë hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se Musk – personi më i pasur në botë me një pasuri prej më shumë se 220 miliardë dollarësh – dëshironte që të tërhiqej nga marrëveshja për blerjen e platformës për shkak të çmimit.
Akuzat e ndërsjella u pasuan nga një rënie të madhe të vlerës së aksioneve të teknologjisë, përfshirë edhe të Tesla-s, kompanisë që prodhon makina elektrike dhe që është në pronësi të Elon Musk.