Shefi i EULEX-it në Kosovë, Pietro Barbano, ka njoftuar se misioni i EULEX-it, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, po monitoron situatën e sigurisë gjatë zhvillimit të balotazhit për zgjedhjet e kryetarëve të komunave në 18 komuna të Kosovës.
Përmes një postimi në platformën “X”, Barbano theksoi se patrullat mobile të Njësive të Policisë së Formuar dhe të Policisë së Formuar Rezervë të EULEX janë të pranishme në terren për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët që kanë të drejtën e votës.
Ai shtoi se ky monitorim po realizohet në përpjekje për të mundësuar që çdo qytetar ta ushtrojë të drejtën e tij të votimit lirshëm dhe pa shqetësime, në një atmosferë paqësore.
“Ndërsa Kosova po zhvillon raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, patrullat mobile të Njësive të Policisë së Formuar dhe të Policisë së Formuar Rezervë të EULEX janë në terren, duke monitoruar situatën e sigurisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR, në mënyrë që çdo qytetar me të drejtë vote të mund ta ushtrojë lirshëm dhe paqësisht të drejtën e tij për të votuar’’, është thënë nga Barbano.
As Kosovo holds its runoff mayoral elections, #EULEX Reserve Formed Police & Formed Police Units’ mobile patrols are on the ground, monitoring the security situation in coordination with @Kosovo_Police & @NATO_KFOR, so that every eligible voter can peacefully cast their ballot. pic.twitter.com/JS213SWDn1
— Giovanni Pietro Barbano (@EulexHoM) November 9, 2025







