Shtetet e Bashkuara po ia revokojnë vizën presidentit kolumbian Gustavo Petro, pasi ai mbajti ato që zyrtarët i quajtën komente “të pamatura dhe nxitëse” në një tubim pro-palestinez në Nju Jork, njoftoi të premten Departamenti i Shtetit.
“Më herët sot, Presidenti kolumbian @petrogustavo qëndroi në një rrugë në Nju Jork dhe u bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos i binden urdhrave dhe të nxisin dhunë. Ne do ta revokojmë vizën e Petros për shkak të veprimeve të tij të pamatura dhe nxitëse”, tha agjencia në kompaninë amerikane të mediave sociale, X.
Petro iu bashkua demonstruesve në Nju Jork, së bashku me muzikantin e rok grupit Pink Floyd Roger Waters, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Ajo që po ndodh në Gaza është qartësisht jashtë diskutimit, është një gjenocid”, i tha Petro turmës, duke shtuar se vetoja e Uashingtonit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kishte shkatërruar të gjitha shpresat për diplomaci.
“Historia na tregoi se sapo diplomacia të mbarojë, njerëzimi duhet të kalojë në një lloj tjetër beteje”, tha ai.
Ai u bëri thirrje ushtarëve amerikanë, duke i nxitur ata të mos ndiqnin urdhrat e Presidentit Donald Trump, citon Daily Sabah.
“Nga Nju Jorku, u kërkoj të gjithë ushtarëve të ushtrisë amerikane të mos i vënë duart kundër popullit”, tha ai.
“Mosbinduni urdhrit të Trump, binduni urdhrit të njerëzimit”, tha Petro, duke përmendur ushtarët amerikanë që luftuan Hitlerin në Evropë.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro i është përgjigjur vendimit të administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i revokuar vizën për shkak të kritikave të tij ndaj luftës së Izraelit në Gaza, duke thënë se Uashingtoni “nuk respekton më ligjin ndërkombëtar”.
“Nuk kam më vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Nuk më intereson. Nuk kam nevojë për vizë… sepse nuk jam vetëm shtetas kolumbian, por edhe shtetas evropian, dhe e konsideroj veten vërtet një person të lirë në botë”, shkroi Petro në X të shtunën.
Kurse, Ministri i Brendshëm i Kolumbisë, Armando Benedetti, shkroi në X se viza e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu duhej të ishte revokuar në vend të asaj të Petros.
“Por, meqenëse perandoria e mbron atë, po e sulmon të vetmin president që ishte mjaftueshëm i aftë t’i thoshte të vërtetën ballë për ballë.”
SHBA-të gjithashtu u mohuan vizat zyrtarëve palestinezë, përfshirë Presidentin Mahmoud Abbas, duke i penguar ata të merrnin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.