Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës pret që në protestën e 4 dhjetorit të marrin pjesë rreth 2 mijë persona.
Blendor Shatri nga SBASHK ka thënë se kjo protestë është hapi i parë sindikal pasi kërkesat e tyre janë injoruar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Zonja Nagavci nuk e ka pa të udhës të takohet me krerët e SBASHK-ut duke injoruar totalisht kërkesat e vazhdueshme. Në protestë do të marrin pjesë përfaqësuesit e shoqatave sindikale, kryetari bashkë me anëtarët e kryesisë që përafërsisht numri duhet të jetë rreth 2 mijë protestues”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka bërë të ditur se protesta fillimisht do të mbahet para MASHT-it dhe do të marshohet deri tek qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
“Do t’i drejtohemi me lutje edhe deputetëve të Kuvendit që të shtyhet tutje një iniciativë qytetare që kemi ndërmarr më herët Ligjin për pensionet kontributdhënës”, tha ai.
Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, njofton se pas takimit në të cilin ka analizuar situatën aktuale ka vendosë që më 4 dhjetor të organizojë protestë.
Siç thuhet në njoftimin e SBAShK-ut, “veçmas ndaj bllokimit me qëllim të ministres Nagvci të negocimit për Kontratën e re Kolektive të Arsimit”, të dielën ka mbajt një takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve dhe kanë ripërsëritur vendimin e Këshillit Drejtues për të filluar me veprime sindikale.