Hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala, tha se besimi në sistemin e drejtësisë nga qytetarët është i ulët dhe i karakterizuar me pakënaqësi.
Në konferencën e publikimit të raportit me titull “Drejtësia në sytë e qytetarëve”, ai tha se kjo është reflektuar në raporte të shumta nga organizata të ndryshme.
Shala shtoi se qytetarë laik në përgjithësi kishin shumë pak njohuri në lidhje me sistemin e drejtësisë dhe me mënyrën si punojnë prokurorët, gjykatat dhe avokatët, megjithatë, IKD dhe EULEX, para fillimit të procesit të monitorimit, zhvilluan një trajnim me këta qytetarë laik në mënyrë që ata të kuptonin bazat e funksionimit të sistemit të drejtësisë penale dhe aspektet e monitorimit të seancave gjyqësore.
“Prej 20 qytetarëve të përfshirë në monitorim, 17 ose 85% prej tyre kanë thënë që eksperienca në monitorimin e gjykimeve ka qenë shumë e mirë, ndërsa 3 ose 15% prej tyre kanë thënë që eksperienca në monitorimin e gjykimeve ka qenë e mirë, ndërsa 1 ose 5% prej tyre deklaruan se kishin shumë njohuri në lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë”, tha Shala.
Sipas Shalës, me angazhimin e monitorueseve laik në monitorimin e seancave gjyqësore në fushën penale, qytetarëve u është dhënë mundësia të përjetojnë në mënyrë personale qasjen në sistemin e drejtësisë penale në Kosovë.
Përgjithësisht, sipas Shalës përshtypjet fillestare të këtyre qytetarëve monitorues mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë kanë qenë të dobëta.
Sipas raportit, nga përgjigjet e 20 qytetarëve të angazhuar në monitorim, rezulton 70% prej tyre deklaruan se kishin ndryshuar përshtypjen pak për mirë në lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë, ndërsa 20% prej tyre deklaruan se kishin ndryshuar shumë për mirë përshtypjen në lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë, kurse 10% prej tyre deklaruan se kishin ndryshuar përshtypjen pak për keq në lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Sipas këtij raporti për monitorimin e seancave gjyqësore nga qytetarët, Shala tha se nga monitorimi i seancave gjyqësore të rasteve të dhunës bazuar në gjini, rezulton se seancat e gjykatave të monitoruara u zhvilluan sipas rregullave, megjithëse numri i seancave të monitoruara në këtë kontekst ishte i kufizuar dhe se nga përgjigjet e qytetarëve të angazhuar në monitorim, rezulton se gjykimet e rasteve të dhunës bazuar në gjini u vlerësuan si të drejta.
Raporti “Drejtësia në sytë e qytetarëve” është pjesa e fazës së tretë të projektit të mbështetur nga EULEX-i “Ndërtimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe rritja e realizimit të të drejtave të njeriut përmes monitorimit të seancave gjyqësore nga qytetarët”. /BetimipërDrejtësi