Pesë ndeshje u zhvilluan mbrëmë në parketet e NBA-së, ku kampioni aktual Oklahoma City Thunder vazhdoi ecurinë e shkëlqyer në nisje të sezonit, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi.
Pas dy triumfeve të para që u vendosën vetëm pas kohës shtesë, skuadra e Thunder arriti mbrëmë një fitore të qetë ndaj Atlanta Hawks me rezultatin 117:100.
Ylli i skuadrës, Shai Gilgeous-Alexander, shkëlqeu sërish me 30 pikë, ndërsa protagonist absolut i takimit ishte Chet Holmgren, i cili realizoi 31 pikë dhe 12 kërcime, duke dominuar në të dyja anët e fushës. Te skuadra e mposhtur e Atlantës, Nickeil Alexander-Walker ishte më efikasi me 17 pikë, por pa mundur ta ndalë fuqinë e kampionëve në fuqi.
Befasinë e mbrëmjes e bëri Chicago Bulls pasi triumfoi në udhëtim ndaj Orlando Magic me shifrat 110:98, duke regjistruar kështu fitoren e dytë të sezonit.
Australiani Josh Giddey udhëhoqi “demat” drejt suksesit me 21 pikë, ndërsa te Orlando u dallua Paolo Banchero me 24 pikë dhe 10 kërcime, por pa mundur ta shpëtojë ekipin nga humbja.
Në sfidat e tjera, Philadelphia mposhti Charlotte me rezultat të ngushtë 125:121, ndërsa Denver tregoi forcën duke shkatërruar Phoenix me 133:111.
Memphis gjithashtu zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në shtëpi, duke fituar bindshëm ndaj Indianas me 128:103.
Rezultatet:
Orlando – Chicago 98:110
Atlanta – Oklahoma City 100:117
Philadelphia – Charlotte 125:121
Denver – Phoenix 133:111
Memphis – Indiana 128:103









