Më 3 janar të këtij viti, erdhi në Kosovë, një vit pasi që ishte nisur nga Italia.
Hasan Dakaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestua në janar të 2024-ës nga Serbia, në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Fatin e njëjtë të ndalimit e kishin edhe disa ish-luftëtarë tjerë.
Avni Qenaj u ndalua nga shteti serb nën akuzën për krime lufte, ku në dhjetor edhe iu caktuan 30 ditë paraburgim.
Derisa po hynte në territorin serb me automjet privat, në shtator u ndalua edhe Hazir Haziri në pikën kufitare në Merdarë.
Në burgjet e Serbisë po mbahet ende nga gushti, ish-ushtari Behar Preniqi i cili u ndalua në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë e Serbisë.
I arrestuar është edhe Lulzim Halili ku më 24 korrik iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e që ngarkohet me akuza për “organizimin dhe nxitjen e kryerjes së krimeve të luftës dhe gjenocidit.
Në qershor nga Serbia u ndalua edhe ish-pjesëtari i Policisë, Arbnor Spahiu.
Ndaj tij rëndonin akuzat për vrasje gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, por që i njëjti u lirua 6 muaj më pas në mungesë të provave.
Nga Organizata e Veteranëve të Luftës thonë se ende mbetet shqetësuese se si bashkëluftëtarët e tyre ende përdorin Serbinë për udhëtime.
“Në asnjë rrethanë, asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk është mirë që veteranët e UÇK-së të udhëtojnë nëpër Serbi. Ne e dijmë se njerëzit thonë jo më lehtë, më shkurt, më shkurt e më lehtë ka qenë edhe mos me luftu mirëpo është dashtë me i hy luftës edhe pse është një proces shumë i vështirë dhe një diçka që nuk e don askush mirëpo është duftë t’i hyjmë luftës dhe të kemi vështirësi, të kemi edhe viktima”, thotë Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL-UÇK-së.
Nënkryetari i kësaj organizate thotë se duhet më shumë angazhim i diplomacisë kosovare në këtë drejtim.
“Zyra atje që është në Serbi, Zyra e Kosovës në Serbi ka intervenuar disa herë, mirëpo nuk është mjaftueshëm. Dmth është mirë që në rrugë diplomatike të sigurohet që njerëzit të mos maltretohen, sepse Serbia dihet që proklamon veten si vend i lirë dhe lejon lëvizjen e lirë të qytetarëve, prandaj shteti gjithmonë nuk është mjaftueshëm që të bëjë për qytetarët e vet”, shprehet Sopi.
Ai ka edhe një apel për të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së që mos të kalojnë kah shteti serb.
“Kemi dhënë apel dhe kemi apelu gjithmonë që në asnjë rrethanë mos të udhëtohet nëpër Serbi. Dihet që përpos rrezikut, pse t’i sjellim Serbisë si shtet armik që është i disponuar armiqësisht ndaj nesh, pse t’i sjellim edhe të mira ekonomike, sepse kalimi nëpër Serbi nënkupton edhe shpenzime edhe qoftë derivateve, qoftë ushqimeve, dmth pagesave tarifave rrugë, etj”, thotë Sopo.
Tëvë1 ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me hapat e ndërmarrë për shtetasit kosovarë të arrestuar nga Serbia.
Por, as pas dy javë pritjesh, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, në komunikatat e arrestimeve kanë theksuar se rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve.



