Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallra të falsifikuara në vlerë mbi 24 mijë euro gjatë një kontrolli doganor të realizuar ndaj një subjekti afarist në rajonin e Ferizajt.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli është kryer më 09.02.2026, bazuar në informata operative dhe në kuadër të aktiviteteve të rregullta të mbikëqyrjes së tregut.
Gjatë kontrollit në ambientet e depos së subjektit, zyrtarët doganorë kanë verifikuar dokumentacionin për mallrat e deklaruara, të cilat përfshinin mbathje sportive për të rritur dhe fëmijë, me zyrë destinuese Doganën e Ferizajt.
Gjatë inspektimit të stokut ekzistues janë identifikuar disa pako me mbathje sportive të markave tregtare të mbrojtura, për të cilat dyshohej se ishin kontrabanduar në Kosovë.
Pas verifikimit dhe evidentimit të parregullsive, janë sekuestruar gjithsej 1,920 palë mbathje sportive me markë tregtare NIKE dhe 330 palë me markë tregtare ADIDAS.
Përfaqësuesi i subjektit afarist ka pranuar se mallrat e sekuestruara janë produkte të falsifikuara dhe është pajtuar me asgjësimin e tyre, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Malli i konfiskuar është transportuar nën masa të rrepta sigurie dhe është dorëzuar për ruajtje zyrtare në objektet doganore.
Sipas vlerësimit zyrtar, vlera e përgjithshme e mallit të sekuestruar arrin në 24 mijë e 300 euro, ndërsa shmangiet nga detyrimet doganore llogariten në 7,241.40 euro.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, falsifikimit dhe çdo forme të shkeljes së legjislacionit doganor, në funksion të mbrojtjes së tregut të ligjshëm dhe interesit publik”, theksohet në njoftim./teve1.info/







