Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin duke folur për ish-presidentin Hashim Thaçi tregoi se në takimet në Rambuje, ai nuk kishte autoritet për të vendosur për asgjë por vetëm pasqyronte vendimet që merreshin në Kosovë.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, tha se Thaçi duhej të merrte leje, pasi vetë nuk e kishte mundësinë që të vendoste.
“Nuk e kishim kuptuar qartë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por ne e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra e fshehur e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup. Ai duhej ta merrte lejen prej tyre dhe ai vetë nuk e kishte mundësinë. Nuk ishte në gjendje që të diktonte rregulla dhe kushte. Ai duhej të komunikonte me persona të tjerë që t’i jepej miratimi”, tha Rubin.
Rubin tha se e bindën delegacionin e Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht ta shpëtonin popullin.
“Përshtypja ime për Thaçin ishte se ai vetëm pasqyronte vendimmarrjen. Kështu që kur shumica vendos që të përqafonte NATO-n dhe perëndimin, pjesa tjetër e ekstremistëve humbën. Ai ishte pasqyrimi i lëvizjes udhëheqëse të asaj kohe dhe jo udhëheqësi”, tha ai.
Ndërsa, për Qeverinë e Përkohshme, Rubin tha se do të duhej një autoritet civil në Kosovë në qershor të 1999-ës.
Veç kësaj, Rubin tha e ishte kërkuar që mos të përmendej se kishte mbështetje për pavarësinë e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, Rubin tha se Hashim Thaçi nuk kishte autoritetin të merrte vendime as për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe se komandantët i tregonin se çfarë të bënte.
Ai tha se kjo gjendje ishte jo vetëm për marrëveshjen e Rambujesë, por edhe për marrëveshje të tjera sikurse ajo për demilitarizimin e UÇK-së.
“Ndonjëherë Hashim Thaçi m’i jepte pikëpamjet e fundit të tyre dhe unë i shikoja këto pikëpamje së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe thonim ne se kjo është në rregull, kjo nuk është në rregull. Kur gjërat nuk ishin siç planifikonim ne, duhej të kontaktonim përsëri me komandantët në mënyrë që komandantët të binin dakord për formulimin. Por, absolutisht e qartë për mua se ai nuk e kishte aftësinë dhe as kompetencën që të merrte vendime për UÇK-në. E kam fjalën për çështje praktike; dorëzimin e armëve, udhëzimin e forcave, veshjes së uniformave, që kishin të bënin me aspekte ushtarake. Këto ishin që vendoseshin nga persona të tjerë”, u shpreh ai.
Rubin deklaroi se Thaçi ishte fytyra e UÇK-së që luante rolin e ministrit të jashtëm dhe se komandantët i thonin atij se çfarë të bënte.
“Unë jam takuar vetë me komandantët dhe e kam parë vetë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin. Ata komandantë i kanë thënë atij se çfarë të bënte dhe jo Hashimi t’iu thoshte atyre se çfarë të bënte”, tha ai.