Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se në muajin dhjetor 2025, krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, është shënuar rritje e numrit të përfituesve në disa skema pensionale dhe sociale.
Sipas të dhënave të ASK-së, rritja më e madhe është evidentuar te skema e Pensioneve Paraplegjike dhe Tetraplegjike, me 12,6 për qind.
Rritje e ndjeshme është shënuar edhe te skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (8,6 për qind), si dhe te skema për përkrahje financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (8,0 për qind).
Po ashtu, është rritur numri i përfituesve nga skema e pensioneve bazike të moshës për 7,5 për qind, nga skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që kanë punuar gjatë viteve shkollore 1990/91 deri në 1998/99 për 5,1 për qind, si dhe nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara për 4,5 për qind.
Rritje është shënuar edhe te skema për veteranët e luftës (2,7 për qind), te kompensimet për personat e verbër (1,2 për qind) dhe te pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) me 0,8 për qind.
Ndërkohë, ASK bën të ditur se në të njëjtën periudhë është shënuar rënie e numrit të përfituesve në disa skema të tjera.
Rënia më e madhe është regjistruar te skema e pensioneve invalidore, me 27,5 për qind, si dhe te skema e pensioneve të Trepçës me 20,6 për qind.
Ulje e numrit të përfituesve është vërejtur edhe te pensionet familjare (10,6 për qind), skema e ndihmës sociale (10,3 për qind), pensionet kontribut-paguese të moshës (2,0 për qind), si dhe te skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, me 1,4 për qind.








