Viti 2026 ka nisur me rritje të ndjeshme të çmimeve në Kosovë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) shënoi një rritje vjetore prej 5,8% në janar 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm brenda një muaji, krahasuar me dhjetorin 2025, çmimet janë rritur për 1,2%, duke reflektuar presion të vazhdueshëm inflacionist në vend.
ASK-ja bën të ditur se rritja më e theksuar vjetore është regjistruar te biletat e fluturimeve, të cilat janë shtrenjtuar për 50,4%.
Rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me vendbanimin (44,4%), si dhe energjia elektrike (16,7%).
“Shtrenjtim të konsiderueshëm kanë pësuar edhe lëndët djegëse të ngurta (17,2%), pemët (15,5%), mishi (13,1%), produktet e qumështit, djathit dhe vezëve (8,7%), shërbimet hoteliere (8,6%), si dhe kafeja, çaji dhe kakao (10,3%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Në përgjithësi, këto grupe kanë dhënë një ndikim të përbashkët prej 6,2% në inflacionin total.
Shtrenjtim edhe në baza mujore
Krahasuar me muajin dhjetor, çmimet në janar janë rritur për 1,2%.
Sërish, biletat e avionit (42,1%) dhe shërbimet e banimit (41,4%) kryesojnë listën e rritjeve mujore.
Rritje janë shënuar edhe te perimet (4,2%), energjia elektrike (1,5%) dhe mishi (0,7%).
Ndryshe nga shumica e produkteve dhe shërbimeve, karburantet dhe lubrifikantët për transport personal kanë pësuar rënie prej 7,3% në baza vjetore dhe 3,4% në baza mujore, duke zbutur pjesërisht presionin inflacionist.







