Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se është “i sigurt” se Kosovën do ta njohin shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nëse ka rezultate në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai inkurajon udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Në mungesë të konstruktivitetit nga palët, Rohde përmend mundësinë e sanksioneve nga BE-ja.
Rohde, po ashtu, thotë se dy vendeve i janë premtuar edhe investime shtesë si shpërblim për konstruktivitet në dialog.
Ai thotë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin gati 10-vjeçar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit”.
-Këtë fundjavë, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar për aneksin e zbatimit të një marrëveshjeje që njihet si propozimi i BE-së. Ju keni thënë se të dyja vendet nuk duhet ta “humbasin autobusin” për këtë takim të ardhshëm. Përse?
Jorn Rohde: Sepse koha nuk është në anën e Kosovës dhe të Serbisë. Ne duhet ta kapërcejmë këtë përballje të përhershme me kriza.
Të 27 vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë. Javën e kaluar, ju e dini se kryeministrja e Italisë, presidenti i Francës dhe kancelari gjerman kanë publikuar një letërpër dy liderët [kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë], në të cilën kanë nënvizuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.
Jam i lumtur që më 27 shkurt, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti janë pajtuar në parim për këtë propozim evropian, i cili është iniciuar nga Franca dhe Gjermania.
– Megjithatë, nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kemi dëgjuar pritje të ndryshme nga takimi në Ohër. Ka pasur më shumë skepticizëm nga pala serbe. Si e komentoni këtë?
Jorn Rohde: Ne, gjithashtu, duhet ta kapërcejmë këtë kontinuitet: Unë e di atë që nuk e dua. Mendoj se kjo është dinamika, të cilën përpiqemi ta instalojmë te palët…
Duhet të biem dakord se çfarë mund të arrijmë së bashku. Kjo është një gjë e mirë. Keni një bazë. Dhe, tani kemi aneksin e zbatimit.
E kemi bërë të qartë se çfarë presim nga Kosova, ashtu sikurse edhe i dërguari evropian [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, i cili punon shumë, e ka mbështetjen tonë të plotë dhe e ka bërë të qartë dje [14 mars] se pa [themelimin] e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] nuk ka marrëveshje.
Në anën tjetër, Serbia gjithashtu duhet të pajtohet se Kosova është një fqinj dhe ka një të ardhme evropiane. Dhe Kosova ka shumë për të fituar.
“Keni nivelin më të lartë politik pas kësaj marrëveshjeje”
-Përvoja nga e kaluara na ka mësuar se shumë marrëveshje të arritura në Bruksel, nuk janë zbatuar. Ka pasur shumë marrëveshje pasuese dhe udhërrëfyes për zbatimin e tyre. Pse mendoni se plani i BE-së do të jetë ndryshe?
Jorn Rohde: Sepse mendoj se gota tani është gjysmë e mbushur. I përmenda më parë disa liderë [që e mbështesin], ka një sinkronizim të plotë midis BE-së dhe SHBA-së…
E kemi bërë të qartë se koha është thelbësore. Kemi një luftë në Evropë. Nuk mund ta tolerojmë më këtë përballje të vazhdueshme me kriza, në lidhje me targat e makinave, barrikadat, zgjedhjet…
Andaj, na duhet një marrëveshje më 18 [mars]. Kjo është marrëveshja, e cila është në tryezë dhe duhet të zbatohet.
Pajtohem plotësisht me ju se shumë marrëveshje në të kaluarën, nuk janë zbatuar. Kjo është arsyeja përse jemi kaq të etur që këtë herë të funksionojë. Për këtë arsye keni nivelin më të lartë politik pas kësaj marrëveshjeje.
-A mund të zgjedhin palët se çfarë të zbatojnë e çfarë jo nga ky propozim?
Jorn Rohde: Natyrisht, në fund varet nga palët e interesuara, por baza është ajo për të cilën është rënë dakord më 27 [shkurt]. Dhe, tani vjen zbatimi më i detajuar.
Sigurisht, ka sekuenca, ka ende nuanca, të cilat mund të diskutohen, por aneksi i zbatimit, që është siguruar nga Lajçaku, është baza e marrëveshjes.
Përsëri, e nënvizoj se është e rëndësishme që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është një obligim gati 10-vjeçar.
-E keni përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është edhe njëra ndër temat më të diskutuara në këtë propozim. Të dyja palët kanë qëndrime të forta në lidhje me këtë. Si e shihni zgjidhjen për këtë?
Jorn Rohde: Ne e kemi bërë të qartë për të gjithë dhe për miqtë tanë këtu, në Kosovë, vijën e kuqe. Natyrisht, nuk ka asnjë mundësi të përafërt që të ketë një Republikë Sërpska të dytë.
Cilado zgjidhje duhet të jetë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të jetë baza e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 që janë ratifikuar nga Kosova.
Një gjë tjetër që e shohim është se tashmë kemi struktura paralele dhe situata nuk është bërë më mirë, por më keq. Serbët e Kosovës i kanë lënë institucionet (e Kosovës), kështu që kemi një situatë të keqe.
Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit. Ky është një zhvillim i mirë, unë e shoh nga kjo perspektivë.
“Pa njohje reciproke, nuk e shoh ndonjërin vend në BE”
-Propozimi, ashtu siç është publikuar, nuk përmend njohje “de jure” nga Serbia. A mendoni se është i mundur normalizimi pa njohje reciproke?
Jorn Rohde:Të gjithë e kanë bërë të qartë që ky është një hap i ndërmjetëm, por shumë i rëndësishëm sepse nis një dinamikë që çon në normalizim të plotë.
Njohja reciproke është faza përfundimtare për ne, sepse pa njohje reciproke, nuk e shoh ndonjërin vend në BE, sepse ne nuk pranojmë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Por, tani për tani, kjo është marrëveshja më e mirë që mund ta merrni dhe ka shumë përfitime, të cilat ua përmenda dhe fundi i [tentimeve] që Serbia ta bllokojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.