Të gjitha këto kuti të votimit do t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit.
Këtë proces tashmë e ka kaluar Prizreni, dhe rezultatet që dolën pas numërimit të sërishëm të votave, zbardhën dallime të mëdha.
Vetëm kandidatit të PDK-së, Fetah Paçarizi, rinumërimi ia hoqi mbi gjashtë mijë vota.
Nga ky proces e pësuan edhe kandidatë të tjerë për deputet.
Nait Hasanit të PDK-së, iu hoqën rreth 3 mijë e 400 vota, Kujtim Gashit të PDK-së, 2 mijë e 360 vota, Xhavit Ukajt të LDK-së, mbi 1 mijë e 500 vota, Driton Selmanajt nga kjo parti mbi 1 mijë vota, kurse Arbër Rexhajt të Vetëvendosjes iu hoqën 626 vota.
E përbashkëta e këtyre kandidatëve është se të gjithë vijnë nga rajoni i Prizrenit.
Tëvë1 ka provuar gjatë gjithë ditës që të marrë një qëndrim të tyre, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
E në disa reagime të tyre në Facebook, kanë theksuar se nuk janë në dijeni për këto keqpërdorime të votave.
Për gjithë këto keqpërdorime të identifikuara, tashmë është aktivizuar edhe Prokuroria e Shtetit.
“Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Po ashtu, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme”, kanë njoftuar nga Prokuroria e shtetit.
Për profesorin Dorajet Imeri, këto manipulime të votave shpërfaqin një mospërputhje totale të vullnetit politik dhe të asaj se si është përshkruar si rezultat për një pjesë të kandidatëve.
“Kjo shpërfaq se aty ku prekin partitë politike në zgjedhje, aty e bëjnë bërllok. Kjo çka ka ndodhur është për shkak të manipulimit potencial që ka ndodhur si rrjedhojë me gjasë i individëve të caktuar të deleguar nga partia për të numëruar votat, nuk ka mekanizëm tjetër. Gjithsesi kjo është vetëm në nivel të supozimit aktualisht sepse për këtë do të vendos në fund gjykata. Natyrisht mos përputhja kaq e madhe nuk më shtyhen të besoj që ka të bëjë me ndonjë gabim njerëzor ose diçka të ngjashme. Prandaj krejt çka mund të them është se ka një mospërputhje totale në mes vullnetit politik dhe atyre se si është përshkruar si rezultat dhe prandaj”, ka thënë Imeri.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, u konfirmua se për dallim nga votat e kandidatëve për deputetë, votat për subjektet politike janë të numëruara me saktësi



