Tetë ditë më parë, ishte në Prishtinë.
Por të enjten, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ishte nikoqir në Bruksel.
Për rrugën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, ai priti në takim kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi dhe atë serb, Petar Petkoviq.
Por detaje nga takimet e zhvilluara nuk kanë dhënë as nga Bashkimi Evropian dhe as nga Qeveria e Kosovës.
Njëra nga temat kyçe në këtë takim të parë për vitin 2026 janë edhe të pagjeturit.
Televizioni i ka kontaktuar edhe përfaqësuesit e Komisionit për të pagjetur por as prej tyre nuk ka marrë përgjigje.
Kjo temë sipas analistit politik nga Tirana, Ben Andoni është e rëndësishme për Kosovën por jo edhe për Serbinë.
“Çështja e të pagjeturve është një temë mjaft sensitive për Kosovën, por jo aq për Serbinë. Për arsyen e vetme, që e ka fshehur për shumë e shumë vite fatin e të pagjeturve kosovarë, por mbi të gjitha është munduar të fshehë edhe fajtorët, për arsyen e mos identifikimit të tyre është vonuar një nga temat më sensitive të Kosovës. Por në këtë rast ajo nuk mund të jetë tema kryesore, besoj rëndësia më e madhe e këtij takimi është ulja në një tryezë e zotëri Petkoviq me zotëri Bislimin”, vlerëson ai.
Andoni thotë se Sorensen në këtë takim do të ketë një synim.
“Në takimin e përbashkët duket qe zotëri Sorensen, një njëri i cili e njeh shumë mirë rajonin, Serbinë dhe Kosovën do të shpjegoj metodologjinë e re të tij dhe sidomos këshillat që ka marrë nga Bashkimi Evropian për të vazhduar dialogun. Dialogu është në një ngërç jashtëzakonisht të madh dhe thjesht ulja në tryezë e dy kryenegociatorëve përbën një sukses të vogël të zotëri Sorensenit. Por tema kryesore sot në mendimin tim është paraqitja e një metodologjisë se si do të vazhdohet më pas me dialogun dhe besoj që mund të jetë edhe një hartë paraprake e takimeve. Unë mendoj dhe shumë shpejt mundësitë janë që zotëri Vuciq të takohet me zotëri Kurtin”, thotë Andoni.
Për më shumë se dy vite, Kosova dhe Serbia janë duke u takuar vetëm në kuadër të kryenegociatorëve, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq nuk janë takuar që nga shtatori i vitit 2023.



