Një incident i rëndë është raportuar mbrëmjen e sotme në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku një person është arrestuar pas një përleshjeje që dyshohet të ketë përfshirë edhe përdorim të armës së zjarrit.
Sipas raportit të Policsë, rreth orës 20:25 Policia e Kosovës ka pranuar informacion për një konflikt mes disa personave. Me të arritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar shenja të një përleshjeje fizike, ndërsa raportohet se gjatë incidentit janë dëgjuar edhe të shtëna me armë.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe tri gëzhoja. Një person është arrestuar, ndërkohë që një tjetër është shoqëruar në polici për intervistim, ndërsa një i dyshuar mbetet në kërkim.
Burime të Tëvë1 bëjnë të ditur se i arrestuari dyshohet të jetë një figurë e njohur e skenës muzikore,konkretisht reperi Buta – Betim Januzi.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesit dhe ekspertët e forenzikës.







