Ky poç eletrik shumicën e kohës është kështu pa ndriqim.
Meqë, reduktimet e energjisë elektrike në fshatin Keqekollë të Prishtinës janë të shpeshta.
Faik Ademi, thotë që shpeshëherë me orë të tëra janë pa energji, gjë e cila po ua pamundëson familjes Ademi kryerjen e punëve shtëpiake e punën në fermë të lopëve.
“Vetëm një frymë ose shi me qenë ndalet rryma, kam edhe një fermë të lopëve dhe problem me kry pune aty pa rrymë, me qiri nuk po tentoj se njëherë mundet me u djeg apo diçka…”, tha ai.
E lidhur me reduktimin e energjisë elektrike ankesë pati edhe një banor tjetër.
Mexhid Ademi thotë se shtyllat elektrike në këtë fshat nuk janë ndërruar që nga pas lufta.
“Problem me energji elektrike, shtyllat nuk janë ndërruar që nga pas lufta kanë filluar pak po kurrgjë hiq…”, tha ai.
Ndërkaq nga KEDS-i tregojnë shkaqet e këtij problemi.
“Bëhet fjalë për një zonë malore, ku faktorët atmosferikë kanë ndikim shumë të madh për shkak të pozitës gjeografike. sidomos gjatë dimrit, ku mbizotërojnë më tepër reshjet dhe erërat e forta. Megjithatë, të gjitha këto janë rregulluar falë angazhimit të ekipeve të KEDS-it, të cilat janë atje sa herë të paraqitet nevoja”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Ndryshe, fshati Keqekollë në Komunën e Prishtinës është në braktisje e sipër.
Kronika e gazetares Lendrina Kodrolli.