Finale para finales, mund të përshkruhet përballja e dy gjigantëve të Evropës, Real Madridit dhe Bayern Munchenit në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndeshjet e para çerekfinale luhen sot dhe nesër, ku dueli ndërmjet Real Madridit dhe Bayernit, do ta ketë vëmendjen kryesore.
Përballja e parë, luhet sot mbrëma në stadiumin “Santiago Bernabeu” me fillim nga ora 21:00 kurse ndeshja e kthimit është javën tjetër në Munchen.
Pas humbjes nga Mallorca vikendin e shkuar në La Liga dhe ngecjes me shtatë pikë në tabelë ndaj Barcelonës, Reali do të jetë i fokusuar në Champions për ta shpëtuar sezonin.
Bayerni do të jetë një test i vërtetë për ekipin e trajnerit Alvaro Arbeloa, i cili shpreson në një paraqitje të mirë të Real Madridit.
Në fakt, historia favorizon Realin përballë Bayernit por të dyja skuadrat kanë treguar respekt maksimal për njëra tjetrën, në konferencat për shtyp të mbajtura një ditë para ndeshjes.
Në anën tjetër, Bayerni është i trimëruar me kthimin e sulmuesit kryesor Harry Kane nga lëndimi, dhe anglezi do të jetë i gatshëm për lojë prej minutës së parë në Madrid.
Kështu që, pritet përballje e fortë në të dy ndeshjet e kësaj faze, pasi skuadra që avancon tutje pritet që ta prekë finalen e Championsit këtë sezon.










