Gjykata e Apelit të Kosovës me vendimin e 20 janarit 2026 ka vendos të aprovojë ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuares për spiunazh, Jelena Gjukanoviq ashtu që ka ndryshuar vendimin e Themelores duke llogarit prova të pranueshme gjetjet në telefonin e të akuzuares.
Ankesë ndaj vendimit të Themelores ka paraqitur Prokuroria Speciale duke kërkuar që aktvendimi të ndryshohet ndërkaq mbrojtësi i Gjukanoviq, avokati Predrag Miljkoviq ka propozuar që ky vendim të vërtetohet.
Ndërkaq Prokuroria Apelit ka propozuar njësoj si ajo Speciale që provat e siguruara nga telefonin i Gjukanoviq të merren si prova të pranueshme.
Sipas vendimit të Apelit, pretendimet ankimore të prokurorisë janë të bazuara, për faktin se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka ardhur në përfundim se këto prova duhet të shpallen të papranueshme.
Apeli ka theksuar në vendim se shkalla e parë gabimisht ka ardhur në përfundimet se provat e siguruara nga ekzaminimi i këtyre pajisjeve janë në kundërshtim me nenin 103 e 251 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK) respektivisht se janë të papranueshme.
Apeli ka gjet se neni 103 është interpretuar gabimisht nga shkalla e parë për faktin se në rastin konkret kontrolli i shtëpisë-banesës së të akuzuarës është bërë me urdhër-leje verbale të prokurorisë e cila më vonë ka kërkuar konfirmimin e urdhrit, ku për këtë kontroll e ka marrë konfirmimin retroaktiv të gjykatës lidhur me legjitimitetin e kontrollit dhe provave të siguruara gjatë tij.
Ky konfirmim është bërë nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe atë në harmoni me nenin 107 të KPPRK, për arsyet e kontrollit të përcaktuara sikurse në nenin 108 të KPPRK.
Apeli ka gjetur se në rastin konkret kontrolli e sekuestrimi është konfirmuar me konfirmim retroaktiv të gjykatës e atë me Aktvendimin e datës 03.03.2025, ku decidivisht provat e siguruara gjatë kontrollit, duke përfshirë pajisjet elektronike (telefonat celularë), janë siguruara-sekuestruar në bazë të një vendimi-urdhri gjyqësor për konfirmim retroaktiv.
Gjithnjë sipas Apelit neni 103 i KPPRK-së referohet (rregullon) kontrollin dhe sekuestrimin e provave dhe pasurisë së specifikuar, por nuk rregullon ekzaminimin e përmbajtës së provave elektronike, respektivisht pajisjeve telefonike.
Sipas Apelit, neni 145 paragrafi 2 i KPPRK-së është zbatuar gabimisht nga shkalla e parë kjo pasi që i ka dhënë të drejtë prokurorit që të autorizojë policinë apo ekspertin për të shqyrtuar, analizuar e kërkuar për informata ose të dhëna brenda pajisjeve kompjuterike, pajisjeve elektronike për ruajtje ose pajisjeve të ngjashme, e që kjo nënkupton edhe analizimin e pajisjeve telefonike të sekuestruara nga akuzuara Gjukanoviç.
Lidhur me nenin 36 të Kushtetutë së Republikës së Kosovë sipas Apelit në rastin konkret ekzaminimi i pajisjeve kompjuterike, pajisjeve elektronike e pajisjeve të ngjashme, është e rregulluar me dispozitat e nenit 145 të KPPRK dhe se ligji nuk përmban asnjë zbrazëtirë ligjore në raport me këtë ekzaminim, respektivisht ekzaminimin e pajisjeve elektronike, duke përfshirë edhe telefonat celularë.
Prandaj Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës, po ashtu vlerëson se në rastin konkret relevante për këtë stad të procedurës është se provat janë të pranueshme e të marra në harmoni me dispozitat ligjore, akuza mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe nuk ka rrethana për hedhjen e aktakuzës.
Kolegji i gjyqtarëve që ka marrë vendimi ka këtë përbërje: Valon Kurtaj-Kryetar i kolegjit, Afërdita Bytyçi e Ferit Osmani, anëtarë të kolegjit
E akuzuara Gjukanoviq ishte deklaruar e pafajshme më 16 shtator 2025.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë nda Jelena Gjukanoviqit, e cila ngarkohet se nga data e pacaktuar e në vazhdimësi deri në momentin e arrestimit të saj, më datë 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumentet dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq.
Aktakuza thotë se Gjukanoviq i ka përcjellë Vllajiqit informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, tek përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-s në Beograd.
Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara përmes influencimit dhe ndikimit të saj, nga pozita që mbante në OSBE dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh Aleksandër Vllajiq dhe zyrtarët e BIA-s, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, kështu përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, e akuzuara ka cenuar rëndë rendin kushtetuese dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Me këtë, e akuzuara Jelena Gjukanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par.3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është një organizatë ndërkombëtare që merret me sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, e cila përmes misionit të saj ka prezencë zyrtare dhe seli edhe në Kosovë./BetimipërDrejtësi






