Që më shumë se katër vite gjendet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pjetër Shala me 16 mars të vitit 2021 u arrestua nga autoritetet belge dhe më pas më 15 prill të atij viti u transferua në Hagë.
Kjo pasi ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohej për krime lufte.
Në aktakuzën e konfirmuar të Gjykatës, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Sipas aktakuzës, këto krime u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mars të vitit 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Për këto vepra, Prokuroria kishte kërkuar dënim prej 28 vjetësh për Shalën.
E në korrik të vitit 2024, ish komandant Ujku u shpall fajtor, ku u dënua me 18 vjet burgim për krime luftë nga trupi gjykuesi i Gjykatës Speciale.
Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga Gjykata.
Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilat kanë pësuar dëme nga shqiptarë tjerë të Kosovës.
Por me këtë vendim të Gjykatës Themelore nuk u pajtua Shala, i cili më mbrojtjen e tij e dërguan lëndën në Gjykatën e Apelit në Hagë.
Ku seancat gjyqësore u mbajtën me 15 maj dhe 16 maj 2025.
Aty u bë e ditur se Shala kishte dorëzuar 14 pika apelimi kundër vendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin ai u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.
Shala kishte kërkuar që të anulohet dënimi ndaj tij dhe të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat. Po ashtu, si alternativë është kërkuar kthimi i çështjes në rigjykim dhe nëse është nevojshme të jepet një dënim i duhur për të.
Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave e kanë kundërshtuar apelimin, duke kërkuar që kërkesa e Shalës të rrëzohet tërësisht ose pjesërisht
Gjykata Speciale ka njoftuar se paneli i Gjykatës së Apelit ka caktuar shqiptimin e aktgjykimit të apelit në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës për 14 korrik 2025, në orën 11:30.