Një delegacion i Bashkimit Evropian i udhëhequr nga Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, zhvilloi të mërkurën një vizitë zyrtare në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë takimit Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, paraqiti një pasqyrë të detajuar mbi operimet në minierë dhe në termocentralet “Kosova A”dhe “Kosova B”, si dhe mbi projektet madhore që korporata po i realizon pas disa dekadave të funksionimit të njësive gjeneruese.
Hashani theksoi se modernizimi, rritja e efikasitetit dhe pajtueshmëria mjedisore mbeten prioritete kyçe për sigurinë e furnizimit me energji dhe për funksionimin afatgjatë të kapaciteteve ekzistuese.
“Në mënyrë të veçantë, Kryeshefi nënvizoi rëndësinë strategjike të projektit për instalimin e Elektrofiltrave të rinj dhe të sistemit DeNOx në njësitë B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B – investime thelbësore për reduktimin e pluhurit dhe oksideve të azotit, duke siguruar avancimin drejt standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian. Ky projekt po mundësohet përmes fondeve IPA të BE-së dhe përbën ndër ndërhyrjet më të rëndësishme mjedisore të dekadave të fundit në vend”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.
Hashani shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për mbështetjen e vazhdueshme politike, teknike dhe financiare, duke theksuar se kjo përkrahje po ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit, rritjen e sigurisë së operimit dhe ngritjen e standardeve të performancës së korporatës.
Delegacioni u njoftua edhe për projektet e tranzicionit energjetik, përfshirë Parkun Solar 100 MW “Solar4Kosovo I Photovoltaic”, një prej iniciativave më të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në vend, e cila shënon një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve dhe uljes së varësisë nga kapacitetet termike.
KEK ka theksuar gjithashtu sfidat financiare me të cilat përballet, për shkak të çmimit shumë të ulët të shitjes së energjisë elektrike – vetëm 29.5 euro/MWh, duke potencuar se zbatimi i projekteve strategjike kërkon mbështetje shtesë nga partnerët ndërkombëtarë dhe donatorët zhvillimorë.
“Në këtë kuadër, KEK ka dorëzuar përmes Ministrisë së Ekonomisë një sërë propozimesh për projekte strategjike në kuadër të programit IPA 2025–2027”, theksohet në njoftim.
Në përfundim të vizitës, të dyja palët vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet KEK-ut dhe institucioneve të Bashkimit Evropian po avancon me ritme të qëndrueshme dhe mbetet thelbësor për modernizimin e sektorit të energjisë, në përputhje me praktikat më të mira evropiane./teve1.info/







