Profesori universitar, Sadri Ramabaja ka thënë pas takimit të kryeministrit Albin Kurti njëherit kryetar i LVV-së dhe ati të LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mundësi që të arrihet një marrëveshje mes këtyre dy partive.
Sipas tij, të dy liderët kanë lënë mundësinë që të ketë një takim tjetër dhe siç ka thënë ai mund të ketë “një zgjidhje të mirë”.
“Që të dy ishin një zë sa i përket ruajtjes së fshehtësisë në asaj që quhet bisedë zyrtare. Fakti që kanë biseduar dy orë është sinjifikativ se mund të kemi një zgjidhje të mirë. Mund të ketë lëvizje edhe për një arsye shtesë, sepse zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe këtë e kanë kuptuar të gjitha palët”, ka thënë Rambaja në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai ka thënë se shkuarja në zgjedhje nuk do të ishte zgjidhje dhe se LDK-së do t’i kushtojë.
“LDK e ka të qartë, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme duke marrë përgjegjësi për bojkot, pikërisht nga opozita, do t’i kushtojë opozitës dhe në radhë të parë edhe LDK-së”, tha Rambaja.
Ai ka thënë se LVV duhet të heqë dorë nga kandidati për president dhe se ai duhet të propozohet nga opozita.
“E kërkon momentumi historik që kryetari i shtetit të jetë nga opozita, por kjo nuk do të thotë që të jetë me librezë nga Partia Demokratike apo Lidhja Demokratike”, u shpreh Rambaja.
“Diskutuam për afatin kohor, i kemi më pak se tri javë kohë për konsensus dhe për të arritur një marrëveshje eventuale, ndryshe shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk i do askush, as LDK, po provojmë që përmes takimeve të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Nuk kemi rrethanë të re nga takimi i sotëm. Takimet do vazhdojnë. Do takoj edhe liderët e tjerë, të PDK dhe AAK”, tha kreu i LDK-së.
Pas takimit që zhvilloi me Kurtin, Abdixhiku tha se nuk ka diçka të re.
Kundër, zgjedhjeve u deklarua edhe Kurti. Por ai përsëriti qëndrimin e tij se duhet një marrëveshje që siguron mbi 81 vota për presidentin.
“Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të vendosur që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh”, u shpreh Kurti.
Por, takim nuk kishte me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ky i fundit në përgjigjen e ftesës së Kurtit, kërkoi që Kurti “ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje”.
E letra e Hamzës, sipas Sadri Rambajës nuk jep shpresë për një marrëveshje LVV-PDK.
“Kërkesat për konkretizim janë një përpjekje për t’i i ikur përgjegjësisë. Dhe kjo më bënë skeptik në raport me Partinë Demokratike se mund të dal nga rrethi i mbyllur respektivisht kryetari i saj është peng i oligarkëve që e rrethojnë”, u shpreh Rambaja.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, 28 prilli është afati i fundit që Kuvendit ta votojë presidentin e ri dhe nëse një gjë e tillë dështon vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve.







