Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar të martën se është i gatshëm të gjejë çdo alternativë për zgjidhjen e problemit të pagesave të punëtorëve të transportit urban, të cilët prej dy ditësh kanë pezulluar punën.
Ai ka akuzuar Qeverinë në detyrë dhe Ministrinë e Financave për mbajtje të jashtëligjshme të mjeteve që, sipas tij, i takojnë komunës.
Rama tha se paralajmërimet për bllokada financiare janë bërë me muaj, ndërsa theksoi se kërkesat e tij për takim urgjent me ministrin e Financave dhe kryeministrin janë refuzuar.
“Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen kryeqytetit prej ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Dje ishim me protestuesit para Ministrisë së Financave, ku kërkova takim urgjent me ministrin dhe kryeministrin, por ata refuzuan. Jam i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces”, deklaroi Rama në konferencën për media.
Ai kërkoi që Qeveria të transferojë menjëherë fondet, duke theksuar se ato i takojnë komunës me ligj dhe se nuk ka asnjë bazë ligjore që të mbahen peng.
Kryetari njoftoi gjithashtu se është thirrur një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal për të enjten, ku pritet të votohet bartja buxhetore që, sipas tij, ka qenë e bllokuar.
Rama theksoi se, pas zgjidhjes së çështjes me transportuesit urban, Komuna do të shqyrtojë edhe thirrjen për betimin e asamblistëve të rinj.
“Nuk kemi pasur kohë dje e sot të merremi me këtë çështje për shkak të situatës së krijuar”, u shpreh ai.




