Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj aludimeve të fundit mbi ftesën e Trumpit që Shqipëria të jetë në Bordin e Paqes për të administruar Gazën.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se është e pavërtetë se në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së. Po ashtu sipas tij, është gënjeshtër pretendimi se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro për të qenë pjesë e Bordit të Paqes.
Rama ka hedhur poshtë edhe zërat se në Shqipëri do të vijnë palestinezët.
“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë”, shkruan Rama.
Sipas tij, Shqipëria është nën drejtimin e tij është krejt tjetër, “e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht”
“Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, thekson më tej Rama në X.

Donald Trump e fton Edi Ramën që të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën









