Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nëpërmjet një opinioni të përbashkët për gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, kanë dalë me një ide të përbashkët për “rrugën realiste drejt Bashkimit Evropian”.
Në opinionin e tyre ata nuk kanë insistuar për pranim në Bashkimin Evropian, por kanë bërë thirrje për pranim të shteteve të tyre në tregun e përbashkët evropian dhe në zonën Schengen.
“Shqetësimet për vendimmarrjen, balancën institucionale dhe kohezionin politik janë legjitime. Udhëheqës në Paris, Berlin dhe gjetkë kanë theksuar se mund të nevojiten reforma të brendshme të BE-së, në mënyrë që një BE e zgjeruar të mbetet e aftë të veprojë me vendosmëri. Ne nuk jemi naivë. Këto argumente kanë peshë”, kanë shkruar ata.
Ndërsa, gazetari i gazetës gjermane “FAZ”, Michael Martens, përmes një postimi të bërë në rrjetin social ‘’X’’, i ka bërë analizë një editoriali të përbashkët që e kanë shkruar bashkë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Dy liderët ballkanikë, në shkrimin e tyre, kanë folur për raportet e vendeve ballkanike dhe Bashkimit Evropian, më saktësisht për idenë e anëtarësimeve të reja dhe mënyrat e bashkëpunimit mes tyre.
Martens, shkruan se Rama dhe Vuçiq, në opinionin e tyre të përbashkët, nuk insistojnë në anëtarësimin në BE, porse, liderët, ‘’mbështesin pranimin e vendeve të tyre në Tregun e Përbashkët Evropian dhe Zonën Shengen’’.
“Zgjerimi i pjesëmarrjes në këto korniza (Shengen dhe Tregu i Përbashkët) për vendet kandidate të përgatitura mund të sillte përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të Unionit”, citon Mertens të kenë shkruar Rama dhe Vuçiq në opinionin e tyre të publikuar në FAZ.




