Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi të dielën se Bashkimi Evropian është stacioni i shpëtimit përfundimtar kombëtar nga hijet e së shkuarës dhe nga rirëniet në duart dhe në kthetrat e hijeve të së shkuarës.
Këtë qëndrim kreu i qeverisë e shprehu nëpërmjet një video-mesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, ku Rama iu përgjigj një komentuesi sipas së cilit, Shqipërisë nuk i duhet BE dhe që shprehet se “më mirë në shtëpinë tonë vetëm ne se bëhemi Pakistan”.
“E para për cilin Pakistan e Kurdistan që të paskam sjellë unë këtej e ke fjalën? As edhe një, zero hiç. Por pavarësisht kësaj unë besoj se një shqiptar kurrë s’duhet të flasë me përçmim për askënd tjetër se ne e kemi provuar padrejtësinë e përçmimit në kurriz. E kemi provuar me shekuj dhe gjyshërit tanë i treguan mbarë botës fisnikërinë e shqiptarit duke rrezikuar jetën për të marrë në mbrojtje hebrenjtë edhe pse shumica dërrmuese e tyre ishin myslimanë, atëherë kur bota mbarë i braktisi dhe i la të piqen në hellin e mizorisë raciste”, iu përgjigj Rama komentuesit.
Kryeministri, në vijim të komenteve të tij theksoi se “bekimi ynë i madh është që lindim, rrojmë dhe vdesim këtu në mes të Evropës dhe që BE-në e kemi sot një mundësi reale të kapshme, të prekshme me dorë.”
“E kemi të realizueshme për veten dhe për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë dhe për fëmijët e tyre. Vetëm si pjesë e BE-së, liria jonë individuale do të jetë përfundimisht e garantuar, barazia jonë para ligjit do të jetë përfundimisht e paprekshme dhe standardet e bashkëjetesës demokratike do të jenë përfundimisht të pakthyeshme dhe të mishëruara në institucione”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, pasaporta shqiptare e BE-së do të na çlirojë njëherë e mirë nga pesha e diskriminimit si qytetar të dorës së dytë në mes të Evropës.
“Do të na bëjë qytetarë të barabartë me të drejta të barabarta që nga studimet tek punësimi dhe deri tek përkujdesja shëndetësore në çdo vend të BE-së. Thua pastaj që shtetet e pësuan keq nga ana ekonomike pse hynë në BE. Është një gënjeshtër e madhe që ti e ke ngrënë si manaferrë”, tha Rama.
Sipas tij, në 10 vite Shqipëria mori mbështetje nga BE diçka më shumë se 1 miliard euro.
“Me hyrjen në BE të njëjtën mbështetje prej më shumë se 1 miliard euro do ta marrim çdo vit. Imagjino për shembull se si do ta pësojë fshati, bujqësia si do ta pësojnë fermerët. 300 milionë euro minimumi në vit do të na vijnë nga BE për ta”, tha Rama.
Kryeministri ftoi komentuesin të votojë PS-në për BE-në dhe të hyjmë në BE për të marrë pasaportën evropiane të Shqipërisë si individë dhe si shtet.