Qytetarët e Kosovës kanë hyrë në borxh 1.2 miliardë euro në bankat e Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-maj të vitit 2025.
Kjo shumë ka shënuar rritje prej 200 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Derisa totali i kredive aktive deri në fund të muajit maj të këtij viti ka arritur në 6.3 miliardë euro, në krahasim me 5.2 miliardë euro sa ishte në maj të vitit 2024.
Njohësit e ekonomisë konsiderojnë se kamata e kredisë është e lartë dhe se institucionet duhet bërë më shumë që të ketë ndryshime.
Krahas kësaj, është shënuar rritje edhe në depozitat bankare. Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025, depozitat e reja arritën mbi 480 milionë euro, mbi 133 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se në depozitimin e mjeteve dominon diaspora.
Ndërkaq, sipas qytetarëve marrja e kredive bëhet për shkak të vështirësive financiare me të cilat përballen.
“Kredia nuk është e vogël kurrë, veç zori”, shprehet Ejup Musolli.
“Kredia nuk është e vogël kurrë veç zori…Do kredi për mobilje, për disa gjëra. Kredi të madhe për shtëpi, nuk kam marrë kurrë”, thotë Musolli.
Një qytetar tjetër tregon se para disa vitesh ka marrë kredi.
“Kam marrë (kredi) para 30 vitesh. A e ke pasur vështirë ta kthesh? Jo, se është ndal në rrogë”, tha ai.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se rritja e vlerës së kredive për ekonomitë familjare nuk është mesazh i mirë. Sipas tij, kjo tregon se familjet në Kosovë janë të detyruar t’i nënshtrohen marrjes së kredive të reja.
“Nëse ka rritje për ekonomitë familjare, nuk është mesazh i mirë. Ajo nënkupton që familjet tona po kanë vështirësi në kthimin e kredive, ose në blerjet e tyre. Dhe sa janë të detyruar t’i nënshtrohen ose marrjes së kredive të reja ose riprogramimit të kredive për ta ulur pagesën e kësitit dhe për ta shtrirë në një periudhë më të gjatë kohore”, thotë Rafuna.
Rafuna për KosovaPress, potencon se norma e interesit në bankat e Kosovës vazhdon të jetë e lartë.
Ai thotë se ekzekutivi dhe Banka Qendrore Kosovës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim, për ta ulur normën e interesit.
Norma mesatare e interesit për kreditë e reja është 6.0 përqind.
“Është e lartë. Institucionet e vendit, në këtë rast ekzekutivi, Banka Qendrore e Kosovës, duhet të punojnë më shumë për ta ulur normën e interesit. Se si ndikohet në normën e interesit janë shumë faktorë. E para është siguria juridike ose reforma në sundimin e ligjit. Jo kontekstet që i kanë bankat me bizneset që të presin me vite, por duhet të zgjidhen në një afat shumë më të shkurtër kohor”, potencon Rafuna.
E sa i përket rritjes së depozitave në banka, Rafunes thotë se vjen pasi diaspora dhe qytetarët e Kosovës nuk po investojnë më shumë në patundshmëri, siç kanë bërë më herët.
“Rritja e depozitit po supozoj që janë më së shumti nga ana e qytetarëve të Kosovës. Por, edhe nga ana e diasporës sonë. Nëse shohim trendin e vitit të kaluar edhe fillimi i këtij viti, kemi një rënie të blerjes së paluajtshmërisë nga ana e diasporës tonë. Tani diaspora, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe diaspora po depozitojnë dhe nuk po investojnë në paluajtshmëri siç ka ndodhë më herët”, thotë Rafuna.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025, shuma e kredive të reja të lëshuara është 1.2 miliard euro, krahasuar me 998.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Nga BQK-ja thonë se portofoli i përgjithshëm i kredive ka arritur në 6.3 miliardë euro në fund të majit 2025, nga 5.2 miliardë euro në maj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 1.1 miliardë euro ose 20.9%.
Ndërkaq, sa i përket depozitave, në përgjigjen e tyre për KosovaPress, thonë se gjatë kësaj periudhe pesë mujore janë regjistruar 480.9 milionë euro depozita të reja, krahasuar me 347.6 milionë euro vitin e kaluar.
“Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025 (janar–maj), shuma e kredive të reja të lëshuara është 1.2 miliard euro, krahasuar me 998.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2024. Gjithashtu, portofoli i përgjithshëm i kredive në fund të muajit maj 2025 arriti në 6.3 miliardë euro nga 5.2 miliardë euro sa ishte në maj 2024, duke shënuar rritje vjetore me 1.1 miliard euro ose 20.9%. Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025 gjithsej depozitat e reja janë 480.9 milionë euro, krahasuar me 347.6 milionë euro në periudhën e njëjte të viti 2024. Gjithsej depozitat në fund të muajit maj 2025 arritën në 6.9 miliardë euro nga 6.1 miliardë euro sa ishin në maj 2024 duke shënuar rritje vjetore me 856.2 milion euro ose 14.1%. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në maj 2025 është 6.0%, që paraqet një rënie të lehtë krahasuar me muajin maj të vitit 2024, kur kjo normë ishte 6.14%”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se rritja e kredive dhe depozitave tregon për një përshkallëzim të gjendjes ekonomike në vend.
Sipas tij, qytetarët dhe bizneset po i drejtohen kredive për të përballuar nevojat afatshkurtra, pasi nuk kanë mundësi të qarkullojnë apo të mbijetojnë ekonomikisht.
Ndërkaq, sa i përket depozitave, Kadrijaj vlerëson se pjesa më e madhe vjen nga mjetet e bashkatdhetarëve, të cilët i depozitojnë në banka.
“Në një situatë të tillë kur kemi rritje të kredive tek qytetarët vendor dhe bizneset, po ashtu edhe rritjen e depozitave, vlerësoj se këtu ka një përshkallëzim të situatës, për faktin që qytetarët vendor dhe bizneset vendore shihet që nuk kanë mundësi që të qarkullojnë dhe të mbijetojnë. Ata tentojë që përmes kredive ta bëjnë zgjidhjen e momentit. Por, për fat jo të mirë në shumicën e rasteve kreditë i kanë dërguar që në shumicën e rasteve të jenë ngulfatëse si për ekonomitë familjare, si për bizneset. Ndërsa, kur flasim për depozitat vlerësoj që pjesa dërmuese është nga bashkatdhetarët të cilët depozitojnë në Kosovë ose të blejnë patundshmëri, apo banime”, thotë Kadrijaj.
Në një prononcim Kadrijaj vlerësoi se situata ekonomike në vend po rëndohet edhe për shkak të mungesës së funksionimit institucional.
“Këtu shihet që është një mungesë e madhe e politikave shtetërore, kur flasim për momentin ne nuk kemi as qeveri të mandatuar, as parlament. Kjo situatë do të përshkallëzohet çdo ditë e më shumë në anën negative, që kjo do ta ngulfat ekonominë e vendit”, potencohet Kadrijaj.