24 vjet pas luftës ende mungojnë memoriale dhe objekte muzeale që u dedikohen të rënëve për liri dhe ruajtjes së kujtesës për periudhën e luftës.
Edhe një pjesë atyre që ekzistojnë kanë nevojë për restaurim. Për këtë qëllim, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, ka shpallur disa tenderë.
250 mijë euro janë destinuar për ndërtimin e Muzeut në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të UÇK-së, në Penuhë të Podujevës. Në kuadër të këtij buxheti përfshihet edhe zhvarrimi dhe rivarrimi i trupave të dëshmorëve.
Para janë dedikuar edhe për kryerjen e punimeve që nga murosja e izolimi, deri tek shtrimi i qeramikës dhe dyshemesë.
Kështu u ndanë 50 mijë euro për një odë në Skenderaj. Bëhet fjalë për ndërtimin e odës- Ilegales të UÇK-së në fshatin Plluzhinë.
65 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇK-së në Mitrovicë; 60 mijë euro për ndërtimin e Shtatores së Veprimtarit të Shquar Kombëtar, Metush Krasniqi – Kamenicë; si dhe 60 mijë për renovimin e Memorialit të Dëshmorëve të Krajkovës – Drenas.
Më pak para pritet të shpenzohen për ndërtimin e busteve të heronjve të luftës së UÇK-së.
Në lote me nga 7 mijë euro, u ndanë për ndërtimin e bustit të heroit, Idriz Rreci në Skenderaj dhe ndërtimin e bustit të dëshmorit, Bashkim Suka në Prizren.
Të gjitha këto tendere janë shpallur brenda periudhës njëmujore.
Kronika e gazetares Florijeta Dernjani.