Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shtyrje të afatit të regjistrimit të popullësisë, proces ky që ishte paraparë të nis më 1 shtator.
Regjistrimi do të fillojë nga 1 nëntori i këti viti.
Vendimi është marrë të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, shkruan teve1.info
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vendimi është marrë me qëllim të përgatitjes së më mirë të këtij procesi.
“Më miratimin e Ligjit për Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave kemi nisur një proces tejet të rëndësishëm për politikbërje në segmente e fusha të caktuara, të cilat prekin përditshmërinë e qytetarëve tanë. Një sërë aktivitetesh ishin të domosdoshme për tu përgatitur me datën 1 shtatore 2023, kur duhej të fillonte regjistrimi. Për një proces të madhësisë të tillë, ndihma ishte e mirëseardhur. Me mbështetjen e UNOKSIT do të i ndërmerrnim hapat e parë për sigurim të prokurimit të pasjeve të domosdoshme për procesin, por duke respektuar Kushtetutën dhe Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare, ne nuk mund të trajtonim një bashkëpunim të tillë ndryshe, përveç se si marrëveshje ndërkombëtare, për dallim nga qeveritë e kaluara të cilat në vitin 2011 pikërisht me qellim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare, të cilët ia transferuan miliona euro për qëllimin e prokurimit e bënë me një memorandum të thjeshtë mirëkuptimi.
Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës, një gjë e tillë me Qeverinë tonë nuk bëhet, por edhe duke pas parasysh trajtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në kuvend së fundi e për të përshpejtuar procesin, prokurimi apo një pjesë e tij i është lënë në menaxhim Autoritetit Qendror të Prokurimit, organe ky që e përfundojë më sukses detyrën e dhënë. Edhe pse përgatitjet u bënë, përkundër rezistencës së prodhuar edhe përbrenda Komisionit Qendrore të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023, pra 2 muaj më vonë, për shkak të pamundësisë se ASK që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit”, tha Kurti.
Ditë më parë Qeveria një përgjigje për teve1.info kishte thënë se 1 shtatori është duke u shqyrtuar endi si mundësi, ndërsa që ishte theksuar se përgatitjet për këtë proces që do të ndodhë në tërë vendin janë duke vazhduar.
Ky proces ishte paraparë të bëhet në vitin 2021, por që fillimisht ishte shtyrë për vitin 2022, e pastaj ishte vendosur për vitin 2023.
Marrë parasysh regjistrimin e fundit të popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë, duke mos përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Regjistrimi i popullsisë konsiderohet ndër proceset më të rëndësishme të një shteti, pasi sigurohen të dhëna për numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë si dhe karakteristika të tjera.