Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës sot është miratuar buxheti për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.
Kurti ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se rritja e pagave do të ndodhë sipas rritjes së zhvillimit ekonomik.
I pari i Qeverisë të martën në një konferencë për media ka premtuar se nga janari i vitit 2025 do të ketë rritje prej 55 euro të pagës, për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Kurti, të martën deklaroi se punëtorëve të sektorit publik nga korriku do të ketë ngritje page prej 110 euro.
Fjalimi i plotë i Kurtit:
Të dashur qytetarë, Të nderuar kolegë nga qeveria e Republikës së Kosovës, Të nderuara media,
Në mbledhjen e sotme si pikë të rendit të ditës kemi edhe miratimin e ligjit për buxhetin e katërt në këtë mandat, për të shënuar njëkohësisht edhe rekordin historik si qeveria e parë e cila e çon mandatin deri në fund, dhe miraton 4 buxhete vjetore.
Performanca dhe rritja e buxhetit përgjatë këtyre 4 viteve ka qenë si asnjëherë më parë. Vit pas viti, kemi pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore, pa ndryshuar asnjë politikë fiskale, gjë që ka mundësuar edhe rritjen e buxhetit pa e rritur borxhin publik e pa shkaktuar barrë financiare për gjeneratat e ardhshme.
Për vitin 2025, buxheti i projektuar shënon nivelin 3.608 miliardë euro, që është për rreth 300 milionë euro apo shprehur në përqindje për 8.87% më i lartë sesa ai i vitit 2024.
Nga ky buxhet, 916.5 milionë euro do të shkojnë për pagat e sektorit publik, duke përfshirë edhe rritjen e pagave që prezantuam në konferencën e djeshme ku nga janari pagat rriten për 55 euro për të gjithë punonjësit e sektorit publik, kurse prej korrikut rritja e pagave bëhet 110 euro për secilin. Kjo e sjell pagën mesatare në sektorin publik për vitin 2025 në 870 euro në muaj bruto.
Krahasuar me vitin para-pandemik 2019, kur buxheti për paga kishte qenë 616.9 milionë euro, në vitin 2025 kemi një rritje prej 300 milionë eurove vetëm për paga, apo përkthyer në përqindje, kemi të bëjmë me një rritje prej 48.5%. Bruto Produkti Vendor ndërkaq, nga viti 2019 deri në vitin 2024 është i projektuar të rritet për 46.2%.
Pagat 48.5 %, Bruto Produkti Vendor 46.2 %.
Ashtu siç e kemi thënë pra, rritja e pagave në qeverinë tonë lidhet me rritjen ekonomike – aq sa rritet ekonomia e produktiviteti, aq do të rriten edhe pagat. Kjo edhe u jep siguri e parashikueshmëri shërbyesve publikë, sepse me neve e dinë saktë se rritje të pagave do të ketë çdo vit dhe aq sa rritet ekonomia, ashtu siç tashmë e kemi dëshmuar, por njëkohësisht kjo metodë nënkupton edhe qëndrueshmëri fiskale në afatgjatë sepse sektori publik kësisoj nuk bëhet barrë që e kolapson pjesën tjetër të ekonomisë. Pra edhe parashikueshmëri e planifikim, edhe qëndrueshmëri në terma afatgjatë.
Tek kategoria Mallra dhe Shërbime kemi planifikuar që 105 milionë euro të ndajmë për nevojat e shëndetësisë, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në SHSKUK, ashtu që të sigurohen barnat esenciale dhe materiali shpenzues përkatës. Ndërkaq 87 milionë euro tjera i kemi planifikuar për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes, që do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme ashtu që policia dhe ushtria jonë t’i kryejnë detyrat me efikasitet të plotë.
Për pensionistët tanë kemi buxhetuar edhe 100 milionë euro tjera shtesë, për të mbuluar rritjen e pensioneve prej 20% që tashmë e kemi miratuar. Ndërsa 60 milionë euro tjera janë shtuar tek skema e shtesave për fëmijë, për të mbuluar rritjen e shtesave që e bëmë para 2 muajsh për 3-vjetorin e lansimit të skemës. Po vazhdojmë mbështetjen e rritur për skenën kulturore dhe sportin, gjithnjë duke u mbështetur edhe në rezultatet e shkëlqyeshme që na vijnë çdo ditë nga artistët e sportistët që na përfaqësojnë denjësisht. Ndërkaq bujku ynë do të vazhdojë të jetë më i mbështeturi në rajon me subvencione e grante.
Tani që kemi zgjidhur shumicën e ngërçeve të kontratave të vjetra e projekte të paplanifikuara si duhet, dinamika e ekzekutimit të investimeve ka shënuar përshpejtim të ritmit dhe këtë po e përcjellim edhe me rritje të buxhetit. Për investimet kapitale në infrastrukturë, kemi ndarë 930 milionë euro, të cilat do të shkojnë në rehabilitim e ndërtim të hekurudhave dhe ndërtim të rrugëve rajonale e autostradave – rruga Prizren-Tetovë, hekurudha, që na lidh me portin e Durrësit, por edhe lidhja e aeroportit me hekurudhë e linjë të trenit, janë vetëm disa nga projektet. Investime parashihen edhe në sigurimin e furnizimit me ujë, siç janë projekti FLOËS që siguron ujin e pijes për zonën e Anamoravës, impianti i ujit të pijes që do të ndërtohet në Ferizaj, apo edhe impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.
Investimet do t’i vazhdojmë edhe në pjesën veriore të vendit, duke siguruar integrimin e plotë edhe me infrastrukturë, tani që shtrirja e kontrollit atje dhe çështja e sigurisë janë tema të kryera.
Fokus të veçantë do të kenë edhe investimet infrastrukturore në sport, meqë afati për Lojërat Mesdhetare 2030 po afrohet. Mbi 200 milionë euro investime kapitale kemi buxhetuar në vetëm 3 vitet e ardhshme, të cilat do të shkojnë në ndërtimin e infrastrukturës sportive nëpër komunat, që do të jenë nikoqire të këtyre lojërave.
Edhe buxhetin për mbrojtje e kemi rritur. Përderisa në dy vitet paraprake, nivelin prej 2% të Bruto Produktit Vendor e kemi mbërri tek pas ndarjeve të reja gjatë vitit, me vendime të qeverisë, për vitin 2025, që në fillim buxheti i mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2% të Bruto Produktit Vendor, me nivelin prej 208 milionë eurove. Kjo nënkupton se me ndarjet shtesë gjatë vitit kjo do ta tejkalojë edhe këtë 2% e Bruto produktit Vendor, që është edhe standard i NATO-s nga samiti i saj para një dekade në Wells të Britanisë së Madhe.
Buxheti përmban edhe reformat që kemi nisur bashkë me partnerët tanë. Projekti i qeverisjes digjitale ka filluar të marrë formë dhe shumë shpejt do të shohim edhe rezultatet e para në lehtësimin e jetës së qytetarëve nëpërmjet digjitalizimit të shërbimeve. Projekti për sistemin informativ shëndetësor po pret ratifikimin në Kuvend, sikurse ai për edukimin në fëmijërinë e hershme. Në anën tjetër, reforma e skemave sociale tashmë ka filluar pilotimin, ku familjet më nuk u nënshtrohen kritereve diskriminuese, por përkundrazi, mbështeten që të integrohen e aktivizohen në tregun e punës. Kurse, se shpejti do të kompletohet edhe reforma e skemave pensionale.
Rritje të buxhetit ka pasur edhe për komunat. Me gjithsej 788 milionë euro, komunat do të kenë mbi 240 milionë euro më shumë mbështetje sesa që kishin para se ne ta merrnim mandatin. Përveç kësaj, për komunat do të ketë edhe mbështetje shtesë përmes grantit të performancës apo edhe projekteve që bashkëfinancohen nga ministritë e linjës.
Të dashur qytetarë,
Siç edhe po e shihni, ky buxhet është edhe për të gjithë, ashtu siç është edhe qeverisja jonë.
Ky do të jetë buxheti i katërt për këtë mandat, por i pari për mandatin që na pret. Andaj, të jeni të sigurt që edhe ministrat tanë janë përkujdesur që buxhetet e ministrive të tyre t’i dizajnojnë si për vete.
Ndërkohë, për shkak se zgjedhjet tashmë po afrohen, po dëgjojmë edhe shumë premtime boshe opozitare, si kundërvlerë e vendimeve të mira qeveritare. Mirëpo, për një gjë duhet të jemi të sigurt, se emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet të ngatërrohen./teve1.info/