Kryeministri Albin Kurti, së bashku me kabinetin qeveritar, kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të tre shtetasve kosovarë që humbën jetën tragjikisht disa ditë më parë në një kantier ndërtimi në Vjenë.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së pestë të Qeverisë, Kurti theksoi se të rinjtë nga Kosova do të kujtohen gjithmonë si punëtorë dhe bashkatdhetarë të përkushtuar. Ai shtoi se humbja e tyre duhet të shërbejë si një moment reflektimi për sakrificën dhe mundin e mërgatës.
“Në emër të Qeverisë, në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, u shpreh Kurti.







