Qeveria e Kosovës ka konfirmuar takimin e kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel më 26 qershor.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për Teve 1, duke konfirmuar takimin i cili është bërë me ftesë të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se në fokus të takimit do të jenë diskutimi për zbatimin e marrëveshjes bazike dhe hapat për të ecur përpara.
“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor. Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara”, ka thënë Kryeziu.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka bërë të ditur zhvillimin e takimit më 26 qershor.
Ky takim vije pas vizitës që i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilloi në Prishtinë dhe Beograd.