Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Listës Serbe, duke konstatuar se parulla “Të gjithë për vëllain Milan”, e shfaqur në tubimin e Listës Serbe, nuk përbën nxitje të urrejtjes.
Sipas njoftimit vendimi është marrë pasi PZAP-ja ka konstatuar se ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje është e pabazuar për shkak se nuk është vërtetuar shkelja e pretenduar.
Vetëvendosje ishte ankuar që Lista Serbe ka ekspozuar parullën “Svi za brata Milana” në fushatë në Mitrovicën e Veriut, duke pretenduar se ishte fjala për Milan Radoiçiqin, të kërkuarin e institucioneve të Kosovës si organizator i sulmit të Banjskës në vitin 2023.
PZAP-ja ngjashëm ka vepruar edhe me një tjetër ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje adresuar kundër Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndaj PDK-së, Vetëvendosja është ankuar për gjuhën e përdorur nga kandidati për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili, mes tjerash, ka thënë se të gjithë ata që nuk respektojnë Kushtetutën dhe Prokurorinë duhet të ngrehen zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës.
Mirëpo, PZAP-ja ka konstatuar se kjo deklaratë nuk i është drejtuar asnjë personi konkret apo ndonjë subjekti politik dhe “mbi këtë arsye nuk ka gjetur shkelje të rregullave zgjedhore në dëm të ndonjë subjekti politik”.