Pa paga 600 euro deri në korrik të këtij viti, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik, të cilët financohen nga Komuna e Prishtinës, paralajmërojnë braktisje kolektive të vendeve të punës.
Kështu u tha në konferencën e Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, ku kryetari Jusuf Azemi tha se ky është vendim i prerë për çka i bëri thirrje komunës që të reagojë.
Ai tregoi se çka u diskutua në takimin me disa kryetarë të shoqatave sindikale në nivel të Komunës së Prishtinës.
Në mesin e tyre paralajmëroi edhe protestën më 1 maj, ditën kur shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
“Është mbajtur një takim për të cilin sot kemi biseduar për rritjen e pagave të punëtorëve të kompanive publiko-private, kemi biseduar lidhur me pagën e 13-të, është biseduar për pakon që është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministri Hekuran Murati, dhe kemi biseduar për organizimin e protestës më 1 maj që do të mbahet”, tha ai.
Në konferencë për media, Azemi paralajmëroi se punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të Komunës së Prishtinës do ta lënë punën.
“Sa i përket rritjes së pagave deri 600 euro, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të cilët financohen nga Komuna e Prishtinës, është marrë vendim unanim që nëse pagat e tyre nuk janë me kontrata të kontraktuara 600 euro, këta punëtorë në mënyrë kolektive do t’i lëshojnë vendet e tyre të punës, sepse kanë gjetur vende me një shumë më të madhe se këtë që e kanë. Ka qenë një vendim unanim dhe unë thërras Komunën e Prishtinës që t’i trajtojë këta punëtorë, ta thërras përfaqësuesit sindikalë dhe të arrijmë deri… Sepse nëse një kontratë që do të nënshkruhet më 15 maj për këta punëtorë, ajo kontratë nuk po nënshkruhet për pesë-gjashtë muaj, ajo kontratë po shkruhet së paku për tri vjet dhe paramendojeni ju inflacionin e pagës 600 euro sa do të mbetet pas tri vjetësh. Dhe kështu është vendim i prerë dhe nuk kemi se çfarë bisedojmë”, tha ai.
Azemi e ka quajtur diskriminim edhe përjashtimin e punëtorëve të sektorit privat nga paga e 13-të.
“Ne e kemi thënë edhe punëtorët e shprehën që paga e 13-të është një diskriminim që u është bërë punëtorëve të sektorit privat të Kosovës dhe ne nuk heqim dorë dhe ne mendojmë që ende Qeveria ka kohë që pagën e 13-të duhet ta ndajë, sepse është marrë po nga i njëjti buxhet ku të gjithë kemi qasje, ka qasje punëtori i sektorit publik, ka qasje punëtori i sektorit privat, këtë buxhet që e kemi që janë ndarë këto mjete, trefishi i atij buxheti është dhe mbushet nga punëtorët e sektorit privat, dihet që pagat tona janë shumë më të vogla, dihet që ne punojmë punë shumë më të rënda edhe nga kolegët që i kemi nëpër spitale, nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare, këta përveç që punojnë punë të rënda edhe jeta e tyre është e rrezikshme”, shtoi ai.
Për të gjitha këto pakënaqësi, ai tha se do të protestohët më 1 maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
“Kjo sindikatë ka marrë vendim që për 1 maj të gjitha këto që i folëm dhe shumë që nuk i kemi folur, më 1 mars do të protestohet lidhur me mos realizimin e kërkesave të parashtruara të kësaj dhe qeverive të tjera që nga 1 maji i vitit të kaluar e deri më tani”, u shpreh ai.








