Në ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, ishte hapur konkurs për punësimin e 25 psikolgëve në shkolla.
E këta psikologë, nga janari i vitit të ardhshëm, do të angazhohen në shkollat e Komunës së Prishtinës.
Sipas drejtoreshës për arsim Besiana Musmurati, punësimi i tyre ka qenë i nevojshëm kohë më parë.
“Nga 64 insitucione edukativo-arsimore kemi vetëm 12 psikologë. Për këtë arsye kemi bërë punësimin e 25 psikologëve të rinj, ky ka qenë një lajm shumë i mirë për shkollat e Prishtinës dhe për çerdhet e Prishtinës sepse është nevojë e kohës”, ka thënë Musmurati.
Sipas Musmuratit, kjo është paraparë edhe në planin për siguri në shkolla.
“Edhe plani për siguri në shkolla e parasheh që edhe psikologu duhet me qenë brenda shkollës që me ofru shërbime për nxënësit të cilët kanë nevojë. Ne e kemi pa që pandemia ka kriju pasiguri të mëdhaja në familje, prandaj ajo manifestohet edhe në shkollë”, shtoi ajo.
Angazhimin e tyre e sheh të nevojshëm edhe drejtuesi i njërës nga shkollat e kryeqytetit.
“Çështja e psikologut është shumë e nevojshme për arsye se fëmijët kanë probleme të ndryshme dhe trajtimin që e bën psikologu nuk mund ta bëjnë trajtimet mësimdhënësit apo kujdestarët dhe kjo është shumë e nevojshme jo vetëm për ne por edhe për të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës janë të domosdoshëm psikologët”, deklaroi Nazif Jashari, drejtor i shkollës “Asim Vokshi” në Prishtinë.
Praninë e psikologëve në shkolla, e sheh të domosdoshme edhe njohësi i arsimit Rinor Qehaja. Por, ai thotë se puna e tyre nuk duhet të kufizohet vetëm tek nxënësit.
“Punësimi i psikologëve është domosdoshmëri dhe është përgjegjësi e institucioneve për me garantu që çdo institucion ka prezencë të një psikologu që përkrahë komunitetin lokal të shkollës në probleme të ndryshme që ata ballafaqohen në përditshmëri dhe atë jo vetëm të kufizuar vetëm në nxënës por edhe vet komunitetin e mësimdhënësve dhe të prindërve”, bëri të ditur Qehaja.
Së fundmi Komuna e Prishtinës, ndau edhe rreth 90 mijë euro për kamerat e sigurisë në shkollat e kryeqytetit.
Kronika e realizuar nga gazetarja Albiona Hajdari.